top of page

Shtrenjtohen sërish karburantet, nafta "fluturon" në 229 lekë

Sep 12
2 min read

Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë marrë një tjetër goditje, duke u afruar me nivelet më të larta të regjistruara gjatë krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Në pikat e shitjes me pakicë, nafta të shtunën ka arritur deri në 229 lekë për litër, ndërsa benzina po tregtohet deri në 219 lekë për litër. Rritja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër shtrenjtimi të karburanteve në tregun vendas. Nafta, e cila më parë tregtohej rreth 219 lekë/litër, është shtrenjtuar me rreth 7-10 lekë, në varësi të pikës së shitjes. Ndërkohë, benzina është rritur nga rreth 205 lekë në 216-219 lekë për litër, me një shtesë prej 11 deri në 14 lekë.


Këto nivele janë ndër më të lartat e viteve të fundit dhe rikthejnë në vëmendje rekordin e marsit 2022. Në atë periudhë, pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, nafta arriti për një ditë në 265 lekë për litër, ndërsa për disa ditë u shit në intervalin 230-235 lekë. Shtrenjtimi i fundit lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës. Pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i Brent-it është rritur ndjeshëm. Më 10 shtator, nafta e papërpunuar arriti deri në rreth 110 dollarë për fuçi, nga afërsisht 100 dollarë më parë, ndërsa sot kuotimi është rreth 104 dollarë.


Presioni është shtuar edhe nga rritja e çmimit Platts, i cili përdoret si një nga referencat kryesore për llogaritjen e kostos së importeve të karburanteve. Çmimi final i referencës është ngjitur në rreth 1,619 dollarë për ton, me një rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e mëparshëm. Në tregun ndërkombëtar, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me çmimin, por edhe me sigurinë e furnizimit. Vështirësitë në transportin detar dhe pasiguritë në disa prej rrugëve kryesore të furnizimit po shtojnë frikën se tregjet globale mund të përballen me mungesa të produkteve energjetike. Shtrenjtimi i karburanteve nuk prek vetëm drejtuesit e automjeteve. Një rritje e qëndrueshme e naftës dhe benzinës mund të përkthehet në kosto më të larta transporti, prodhimi dhe shërbimesh, duke ushtruar presion edhe mbi çmimet e produkteve të tjera. Një ditë më parë ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se pavarësisht rritjes së naftës, qeveria nuk do të rikthehet te Bordi i Transparencës sepse ky është një mekanizëm i përkohshëm, ndërsa konflikti gjeopolitik duket sikur do të vijojë gjatë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page