Projektbuxheti/ Ja rrugët, portet dhe hekurudhat që parashikohen për 2027

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 75.4 miliardë lekë për infrastrukturën dhe energjinë, një fond që përfaqëson 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Investimet e planifikuara përfshijnë ndërtimin dhe zgjerimin e rrugëve, zhvillimin e porteve, linjat hekurudhore, si dhe projekte për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet.
Në listën e investimeve rrugore përfshihen disa akse të rëndësishme, mes tyre rruga Elbasan-Lekaj, bypass-i i Elbasanit dhe aksi Elbasan-Qafë Thanë. Në projektet e parashikuara për vitin e ardhshëm është edhe zgjerimi i rrugës Tiranë-Durrës, si dhe aksi Tiranë-Ndroq-Plepa. Një tjetër ndërhyrje e planifikuar është edhe ndërtimi i bypass-it të Tiranës.
Përveç infrastrukturës rrugore, fondet parashikohen të mbështesin edhe zhvillimin e transportit detar. Në këtë drejtim, në program përfshihet porti i ri i Durrësit në Porto Romano, si dhe projekti i portit të Triportit të Vlorës. Edhe transporti hekurudhor është pjesë e investimeve të parashikuara. Në listë renditen linja Tiranë-Durrës-Rinas, segmenti Vorë-Hani i Hotit dhe linja Durrës-Rrogozhinë.
Një tjetër grup investimesh lidhet me ujësjellësit dhe kanalizimet. Ndërhyrje të kësaj natyre janë planifikuar në Mat, Memaliaj, Sarandë, Fier, Lezhë, Shkodër dhe Velipojë. Programi përfshin gjithashtu rehabilitimin e linjave ekzistuese të furnizimit me ujë në Kukës dhe ndërtimin e një rezervuari uji në Tiranë. Fondi prej 75.4 miliardë lekësh parashikohet të mbulojë një gamë të gjerë projektesh, nga rrugët dhe hekurudhat te portet dhe infrastruktura e ujit.






Comments