Po vjen super taksa e pronave, apartamentet bosh dhe vilat luksoze "në shënjestër"

Apartamentet e pashfrytëzuara në Tiranë dhe vilat luksoze pranë bregdetit pritet të përballen me një taksim më të lartë nga viti 2027. Nisma është pjesë e paketës fiskale të prezantuar nga qeveria dhe synon të ndryshojë mënyrën e taksimit të pasurive të paluajtshme, duke nxitur përdorimin e pronave që mbahen bosh.
"Super taksa” do të aplikohet për apartamentet e pashfrytëzuara në kryeqytet. Synimi është që pronarët të nxiten t'i nxjerrin këto banesa në shitje ose t'i japin me qira, në vend që t'i mbajnë të mbyllura për periudha të gjata.
Kjo masë mund të sjellë më shumë apartamente në treg, duke ndikuar potencialisht edhe në çmimet e pasurive të paluajtshme. Një tjetër efekt i mundshëm është rritja e ofertës për qira afatgjata, ku pronarët do të duhet të paguajnë edhe tatimin 15% mbi të ardhurat nga qiradhënia.
Në fokus të skemës së re do të jenë edhe vilat në zonat bregdetare, konkretisht pronat që ndodhen në një distancë deri në 300 metra nga bregdeti. Për këto pasuri parashikohet gjithashtu një taksë e lartë, megjithëse niveli konkret nuk është bërë ende publik.
Për të zbatuar nismën, pritet të rishikohet projektligji për taksimin e pasurive të paluajtshme. Versioni i ri parashikohet të hidhet për konsultim brenda këtij viti, ndërsa detajet përfundimtare do të përcaktojnë mënyrën e llogaritjes së detyrimit dhe kategoritë e pronave që do të preken. Projektligji do të ruajë parimin e taksimit në përqindje të vlerës së banesës, ndërsa për banesën e parë parashikohet një ulje prej 50%.
Megjithatë, ende nuk janë përcaktuar kriteret që do të identifikojnë një apartament si të pashfrytëzuar, periudha gjatë së cilës ai duhet të qëndrojë bosh për t'u taksuar më shumë dhe niveli i saktë i detyrimit për vilat në bregdet.






Comments