top of page

Rritja e naftës nuk ndalet, Ibrahimaj zbulon çfarë do të bëjë qeveria

Sep 11
2 min read

Pavarësisht rritjes së çmimit të naftës, qeveria nuk do ta rikthejë Bordin e Transparencës. Ministrja Delina Ibrahimaj tha se konflikti në Lindjen e Mesme pritet të zgjasë, çka mund të vijojë të ushtrojë presion mbi çmimet e naftës. Megjithatë, sipas saj, Bordi i Transparencës është një instrument i menduar për periudha të shkurtra, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe jo si mekanizëm i përhershëm për përcaktimin e çmimeve.

“Sa i përket çmimit të naftës, konflikti në Lindjen e Mesme pritet të zgjasë dhe Bordi i Transparencës është një instrument për periudha jo të gjata për të shmangur abuzimet”, u shpreh Ibrahimaj.


Ministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka marrë vendim për vazhdimin e subvencionimit për Shoqatën e Transportit, ndërsa paralelisht po shqyrtohen edhe mënyra të tjera për të ndihmuar qytetarët përballë kostove të rritura. “Kemi marrë vendim për të vazhduar subvencionimin për Shoqatën e Transportit”, deklaroi ajo.

Sipas Ibrahimajt, qeveria po ndjek situatën e çmimeve dhe pritet të publikojë një pasqyrë me çmimet, me synimin që qytetarët të kenë më shumë informacion. “Po kujdesemi për çmimet, do të publikojmë një pasqyrë për çmimet në ndihmë të qytetarëve”, tha ministrja.


Ministrja argumentoi se zgjatja e situatës së krijuar nga zhvillimet ndërkombëtare tregon se bëhet fjalë për një çështje që kërkon vëmendje të vazhdueshme, por ndërhyrjet e drejtpërdrejta të shtetit në treg duhet të kenë karakter të përkohshëm. Ajo tha se edhe në bashkëpunim me FMN-në është këshilluar që ndërhyrje të tilla të mos shndërrohen në mekanizma afatgjatë. “Zgjatja na tregon se kjo është një çështje e qëndrueshme dhe në bashkëpunim edhe me FMN na kanë këshilluar që ndërhyrje të tilla duhet të jenë të përkohshme”, u shpreh Ibrahimaj. Në të njëjtën kohë, ministrja tha se vëmendja e qeverisë është e përqendruar te kategoritë e qytetarëve që kanë më shumë vështirësi për të përballuar kostot e rritura. Sipas saj, për këto kategori janë parashikuar iniciativa dhe skema mbështetëse, përfshirë subvencionimin e ushqimeve dhe transportit. "Kujdesi për atë kategori qytetarësh që nuk mund t’i përballojnë këto kosto, ne kemi iniciativa, subvencione me ushqimet dhe për transportin”, deklaroi ministrja.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page