top of page

Po shtrohet asfalti: Elbasan–Rrogozhinë drejt hapjes së madhe

Sep 4
2 min read

Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Elbasan–Rrogozhinë vijojnë me ritme të larta, ndërsa realizimi fizik i gjashtë fazave të para të projektit ka arritur në 87 për qind. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, aktualisht puna është përqendruar në realizimin e shtresave asfaltike në rreth 15 kilometra të segmentit.


Një pjesë e rëndësishme e punimeve po zhvillohet edhe në veprat e artit. Në segmentin Elbasan–Papër, në fazën e tretë të projektit, po punohet për realizimin e shtresave asfaltike në dy ura të mëdha, ndërsa në dy ura të tjera janë drejt përfundimit punimet e mbistrukturës. Elbasan–Rrogozhinë është një prej projekteve kryesore infrastrukturore në këtë pjesë të vendit dhe është konceptuar si një autostradë e kategorisë A, me dy korsi në secilin drejtim.


Aksi është rreth 40 kilometra i gjatë dhe pjesa më e madhe e tij është parashikuar të ndërtohet në gjurmë të re. Projekti përfshin, përveç trupit të rrugës, një numër veprash arti dhe ndërhyrjesh infrastrukturore, mes tyre ura, nënkalime, vepra hidraulike, sisteme kullimi dhe struktura mbrojtëse. Sipas parametrave të prezantuar më herët nga Ministria e Infrastrukturës, rruga është projektuar me standarde të kategorisë A dhe shpejtësi projektimi deri në 130 kilometra në orë. Dy karrexhatat do të kenë nga dy korsi lëvizjeje, ndërsa projekti parashikon edhe korsi emergjence.


Një prej veprave të rëndësishme të projektit është ura rreth 330 metra e gjatë në segmentin Papër–Ura e Grykshit, ndërsa përgjatë aksit janë parashikuar edhe vepra për menaxhimin e ujërave dhe garantimin e lidhjeve me zonat dhe tokat bujqësore përgjatë trasesë. Punimet për pjesën e parë të aksit, Elbasan–Papër–Ura e Grykshit, nisën në dhjetor 2024. Në inspektimet e mëparshme të Ministrisë ishte vendosur si objektiv përfundimi i 18 kilometrave të para deri në qershor 2026. Tashmë, sipas të dhënave të fundit, realizimi fizik i gjashtë fazave të para ka arritur në 87 për qind, ndërsa puna ka hyrë në një fazë ku një pjesë e konsiderueshme e kantierit po fokusohet te asfaltimi dhe përfundimi i veprave të artit.


Rruga Elbasan–Rrogozhinë nuk shihet si një investim i izoluar. Ajo është pjesë e Korridorit VIII, një prej korridoreve kryesore europiane të transportit që lidh brigjet e Adriatikut me Ballkanin lindor. Në Shqipëri, aksi synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes Elbasanit dhe Rrogozhinës, ndërsa në një kuadër më të gjerë lidhet me zhvillimin e akseve të tjera, përfshirë bypass-in e Elbasanit dhe rrugën Kashar–Lekaj/Rrogozhinë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page