top of page

Kredia për shtëpi, sa është interesi që ofrojnë bankat dhe afati i shlyerjes

Sep 14
2 min read

Marrja e një kredie për blerjen e një banese vijon të jetë një nga angazhimet më të mëdha financiare për familjet shqiptare. Norma e interesit për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme është aktualisht nën 4%, ndërsa pjesa dërrmuese e kredive të reja për shtëpi shlyhet në një periudhë prej 25 vitesh. Banka e Shqipërisë thotë se, pavarësisht kërkesës së individëve për financim, masat e vendosura një vit më parë për të kufizuar ekspozimin e bankave në tregun e pasurive të paluajtshme kanë dhënë efektet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi për kreditë e marra për blerjen e banesave mbetet në nivele relativisht të favorshme, ndërsa cilësia e këtij portofoli vijon të jetë e mirë.


“Normat e interesit për kredi për blerje të pasurive të patundshme janë relativisht të mira, janë nën 4%, kaq kanë qenë edhe përgjatë 2025", deklaroi Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë. Sipas tij, niveli i kredive me probleme në këtë segment është rreth 1.4-1.5%, një nivel më i ulët se ai i kredive me probleme për të gjithë portofolin bankar. Afati i shlyerjes është një tjetër element i rëndësishëm për familjet që marrin kredi për shtëpi. Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 85% e kredive të reja për këtë qëllim jepen me një afat shlyerjeje prej 25 vitesh. Por përpara miratimit të kredisë, banka analizon të ardhurat dhe aftësinë e huamarrësit për të përballuar këstin mujor. “Kreditori ose aplikuesi për kredi duhet të plotësojë kushtin e të ardhurave mujore të qëndrueshme", shpjegon Shehu.


Ai thekson se banka duhet të sigurohet që klienti ka të ardhura të mjaftueshme për të përballuar detyrimin financiar dhe se vlerësimi bëhet në bazë të analizës së çdo aplikanti. Sipas Shehut, mosha është gjithashtu një faktor që merret në konsideratë, pasi me rritjen e moshës mund të ulet qëndrueshmëria e të ardhurave. “Në momentin që mosha e huamarrësit është një 55-60 vjeç, sigurisht që qëndrueshmëria e të ardhurave bie”, sqaron ai.


Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, kredia për blerjen e banesave nga individët arriti në rreth 260 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë thotë se krahas rritjes së portofolit të kredisë, është vënë re edhe një efekt i masave rregulluese të vendosura për të frenuar ekspozimin e sistemit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme. “Tavani i vendosur për kredinë që mund të marrësh, edhe numri i kredive të reja dhe vlera e kredive të reja ka rënë. Ka pasur efekt rregullorja”, deklaron Shehu.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page