Greqia "në luftë" me çmimin e lartë të karburanteve, njofton tjetër paketë mbështetëse

Qeveria greke po ndërhyn sërish për të frenuar ndikimin e çmimeve të larta të karburanteve, në një kohë kur benzina dhe nafta në vend kanë kaluar nivelin e 2 eurove për litër. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar një paketë të re masash, ku lehtësimi kryesor do të jetë për naftën e automjeteve.
Nga 1 deri më 15 tetor, subvencionimi shtetëror do të rritet nga 10 në 15 centë për litër. Nëse këtij reduktimi i shtohet edhe ulja që pritet të aplikohet nga rafineritë, përfitimi për konsumatorët mund të arrijë deri në 20 centë për litër. Në tregun grek, çmimi mesatar i benzinës pa plumb 95 është rreth 2.21 euro për litër, ndërsa nafta kushton afërsisht 2.23 euro. Në disa ishuj, çmimi është edhe më i lartë, duke arritur deri në 2.45 euro për litër. Për momentin, benzina nuk përfshihet në një subvencion të drejtpërdrejtë nga shteti. Autoritetet greke pritet të rishikojnë masat çdo dy javë, në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës.
Një tjetër masë lidhet me naftën për ngrohje, shitja e së cilës nis më 15 tetor. Qeveria synon që çmimi fillestar të mbahet nën 1.75 euro për litër. Niveli përfundimtar i mbështetjes për familjet dhe subvencionet për kategoritë në nevojë pritet të përcaktohet deri më 14 tetor. Paketa ekonomike përfshin edhe lehtësime për bizneset. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të shlyejnë disa prej detyrimeve të vjetra ndaj shtetit në një numër më të madh këstesh, deri në 120, nga 72 që ishte kufiri i mëparshëm. Kësti minimal do të jetë 30 euro. Në të njëjtën paketë janë parashikuar masa edhe për kompanitë që administrojnë kreditë me probleme. Për shkeljen e marrëveshjeve të lidhura me debitorët, gjobat mund të arrijnë deri në 500 mijë euro, ndërsa vendosen kufizime të reja për pagesat paraprake.






Comments