top of page

Kush fiton dhe kush humbet nga skema e bonusit të pensioneve në 2027?

7 hours ago
3 min read

Dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët në vitin 2027 nuk do të përkthehet në të ardhura dyfish më të larta për të gjithë. Edhe pse skema e propozuar parashikon rritjen e bonusit për kategoritë e ndryshme të pensioneve, një pjesë e përfituesve do të marrin më pak se shuma e përcaktuar, ndërsa pensionistët që kanë arritur tavanin e vendosur për kategorinë e tyre do të mbeten jashtë skemës. Sipas analizës së ALTAX, kufijtë maksimalë të pensionit bëjnë që bonusi të mos shpërndahet në mënyrë të njëjtë për të gjithë. Në rastet kur pensioni është më i ulët se tavani, por shtesa e plotë do ta kalonte atë, pensionisti do të marrë vetëm diferencën deri në kufirin e përcaktuar.


Për vitin 2027, bonusi mujor parashikohet të jetë 3.600 lekë për pensionet e plota të pleqërisë në qytet, 1.600 lekë për pensionet e pjesshme, 2.000 lekë për pensionet rurale, 1.400 lekë për pensionet familjare dhe 1.200 lekë për pensionet e invaliditetit. Megjithatë, përfitimi do të kushtëzohet nga tavani për secilën kategori: 40 mijë lekë për pensionet e plota urbane, 22 mijë lekë për pensionet e pjesshme, 18 mijë lekë për pensionet rurale dhe familjare, si dhe 30 mijë lekë për pensionet e invaliditetit.


Për të treguar ndikimin e këtyre kufijve, ALTAX sjell shembuj konkretë për secilën kategori.

Një pensionist urban që merr 38 mijë lekë në muaj, në vend të bonusit të plotë prej 3.600 lekësh, do të përfitojë vetëm 2.000 lekë, pasi tavani i përcaktuar është 40 mijë lekë. Nëse pensioni është 39 mijë lekë, bonusi zbret në 1.000 lekë, ndërsa për ata që marrin 40 mijë lekë ose më shumë, nuk parashikohet përfitim nga kjo shtesë. E njëjta logjikë zbatohet edhe për pensionet e pjesshme. Për një pensionist që merr 21.500 lekë, bonusi do të jetë vetëm 500 lekë, megjithëse shuma e parashikuar për kategorinë është 1.600 lekë. Në pensionet rurale, një përfitues me pension 16 mijë lekë do të marrë bonusin e plotë prej 2.000 lekësh, ndërsa ai që merr 17 mijë lekë do të përfitojë vetëm 1.000 lekë. Për pensionet familjare, një pensionist me 17.500 lekë do të marrë 500 lekë shtesë, në vend të 1.400 lekëve të parashikuara. Edhe te pensionet e invaliditetit, tavani prej 30 mijë lekësh kufizon përfitimin. Një person që merr 29.500 lekë pension do të marrë vetëm 500 lekë bonus, në vend të 1.200 lekëve.


Sipas analizës, edhe pse bonusi nominal parashikohet të dyfishohet në vitin 2027, rritja reale për një pjesë të pensionistëve mund të jetë shumë më e vogël ose zero. Për shembull, një pensionist urban me 38.500 lekë pension do të përfitojë 1.500 lekë bonus, po aq sa në vitin 2026. Pra, pavarësisht dyfishimit të shumës së parashikuar për kategorinë, ai nuk do të ketë asnjë rritje të përfitimit. Në të njëjtën situatë janë edhe kategori të tjera. Një pensionist me pension të pjesshëm prej 21.500 lekësh do të vijojë të marrë 500 lekë bonus, ndërsa një pensionist rural me 17 mijë lekë do të përfitojë 1.000 lekë, njësoj si në vitin 2026. Për pensionet familjare, një përfitues me 17.500 lekë do të marrë sërish 500 lekë, ndërsa te pensionet e invaliditetit, një pension prej 29.500 lekësh kufizon bonusin në 500 lekë, pa rritje krahasuar me vitin aktual.


ALTAX thekson se bonusi mujor nuk duhet ngatërruar me indeksimin e pensioneve. Për vitin 2027 parashikohet edhe indeksimi në muajin prill, për të cilin është parashikuar një fond shtesë prej rreth 1.35 miliardë lekësh.

Ky mekanizëm është i veçantë nga bonusi dhe, sipas analizës, synon të zbatohet për të gjitha kategoritë e pensionistëve. Në përfundim, ALTAX vlerëson se mënyra e vendosjes së tavaneve krijon diferenca mes pensionistëve me të ardhura të përafërta. Një ndryshim i vogël në masën e pensionit mund të sjellë një ndryshim të madh në bonusin që përfitohet, deri në ndërprerjen e plotë të tij. Si alternativa për një shpërndarje më të drejtë, analiza propozon një bonus fiks për të gjithë pensionistët e kategorisë përkatëse ose një skemë progresive, ku shtesa të ulet gradualisht me rritjen e pensionit, në vend që të ndërpritet menjëherë pas arritjes së tavanit.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page