Çmime europiane, paga ballkanike: Shqipëria përballë krizës së kostos së jetesës

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka publikuar një analizë “Kostoja e jetesës në Shqipëri krahasuar me Ballkanin perëndimor” si dhe efektet e paketës fiskale 2027. Analiza mbështetet në të dhënat e Eurostat, INSTAT e institucioneve statistikore të rajonit.
Të dhënat e Eurostat për vitin 2025 e vendosin Shqipërinë në 73% të nivelit mesatar të çmimeve të BE-së, më lart se Serbia (68%), Mali i Zi (66%), Bosnja e Hercegovina (59%) dhe Maqedonia e Veriut (55%). Paga mesatare bruto është 860 euro në muaj, e dyta më e ulët në rajon pas Kosovës. Fqinjët kanë paga 28% deri në 50% më të larta.
Diferenca shihet më qartë te ushqimet. Çmimet e tyre janë në 104% të mesatares së BE-së dhe Shqipëria është i vetmi vend në tabelë mbi këtë nivel. Ushqimet zënë 34,5% të shportës së çmimeve, kundrejt 16,3% në BE, dhe sipas INSTAT-it gati 40% të shpenzimeve mujore të familjes. Me pagën mesatare, një punonjës shqiptar blen rreth 44% më pak ushqim se një punonjës në Maqedoninë e Veriut. Barra nuk është e njëtrajtshme. Rëndojnë pikërisht kategoritë ku një familje, dhe sidomos një profesionist i lirë, nuk mund të kursejë si veshjet (105), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake (112), telefonia dhe interneti (108). Nafta kushton 2,46 euro për litër në shtator 2026, ku mbi 50% e çmimit janë taksa, kundrejt 35–38% në vendet e tjera të rajonit të përmendura në analizë.
Paketa ka masa që godasin drejt problemit dhe masa që shkojnë në drejtim të kundërt. Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë ushqimore, me çmim neto të pandryshuar, e zbret çmimin përfundimtar me rreth 11,7%. Heqja e taksës së qarkullimit nga nafta mund ta ulë çmimin me rreth 30 lekë për litër. Këto janë masat e duhura, sepse prekin ushqimin dhe karburantin, ku Shqipëria është më e shtrenjta. Rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% e rrit çmimin bruto me rreth 0,83% për çmim neto të pandryshuar. Efekti për çdo produkt është i vogël, por prek veshjet, mobiljet, pajisjet dhe telefoninë, domethënë kategoritë ku çmimet janë tashmë më të larta se kudo në rajon dhe që janë edhe mjetet e punës së profesionistëve.
Kostoja e jetesës është problem sepse çmimet janë të larta në raport me pagat. Ndërsa TVSH-ja prek anën e çmimeve, pagat rriten përmes investimeve, produktivitetit dhe zgjerimit të biznesit. Këtu paketa shkon në drejtim të kundërt me objektivin e vet. Rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe e dividendit nga 8% në 15% e çon barrën e kombinuar mbi fitimin e shpërndarë nga rreth 21,8% në 29,45%. Ky është pikërisht kapitali që një biznes ose një profesionist i lirë do të përdorte për të investuar, punësuar dhe paguar më mirë. Për profesionistët e lirë vjen edhe një kosto tjetër. Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë përfshin rreth 17.500 tatimpagues të rinj, me detyrime faturimi, deklarimi dhe kosto administrative. APL është e gatshme të kontribuojë me të dhëna dhe propozime konkrete.






Comments