Rama ndryshon rregullat e punësimit në shtet, ja si do të bëhet përzgjedhja

Punësimi dhe ngritja në detyrë në administratën publike pritet të kalojnë përmes një sistemi të ri vlerësimi, të mbështetur në testim kombëtar, certifikim dhe konkurrim sipas aftësive profesionale. Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë reformën e quajtur “Shkalla e Meritës”, e cila synon të ndryshojë mënyrën e rekrutimit dhe promovimit të punonjësve të administratës shtetërore. Një nga elementët kryesorë të reformës do të jetë organizimi i një provimi kombëtar unik për kandidatët që synojnë të punojnë ose të avancojnë në administratë. Testimi do të zhvillohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, duke adoptuar modelin e provimeve të Cambridge.
Sipas Ramës, kandidatët që do të kalojnë provimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vite. Ky dokument do t'u japë të drejtën të marrin pjesë në konkurset për pozicionet përkatëse, duke krijuar një bazë të përbashkët vlerësimi për kandidatët. “Provim kombëtar unik, ku kandidatët do të dëshmojnë njohuritë. Ky test do të bëhet së bashku me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që po adopton modelin e provimeve të Cambridge. Standard i barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë. Ata që kalojnë, marrin një certifikatë për 4 vite”, deklaroi Rama.
Një tjetër element i reformës është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Talenteve, ku do të mund të regjistrohen personat që dëshirojnë të kontribuojnë në administratën publike. Përmes këtij regjistri, kandidatët do të hedhin të dhënat mbi formimin, profesionin dhe fushën e tyre të ekspertizës. Më pas, sipas kryeministrit, ata do të informohen në kohë reale për vendet e lira dhe konkurset që përputhen me kualifikimet e tyre. Sistemi do të mbështetet edhe në Katalogun Kombëtar të Pozicioneve dhe Kompetencave, Sistemin Kombëtar të Prodhimeve Dixhitale dhe një instrument të quajtur “MeritAI”. Rama pretendoi se përdorimi i teknologjisë do ta bëjë të pamundur ndërhyrjen në sistemin e provimit dhe në procesin e promovimit të meritës.
Kryeministri tha se reforma nuk lidhet vetëm me mënyrën se si punonjësit hyjnë në administratë, por edhe me mundësitë që do të kenë për të avancuar në karrierë. Sipas tij, sistemi duhet të jetë në gjendje të dallojë punonjësit që japin rezultate dhe ata që përmbushin vetëm detyrimet minimale, në mënyrë që përparimi të mos varet nga marrëdhëniet personale apo mbështetja që mund të kenë brenda institucioneve. “Një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin problemin themelor, meritën. [...] Nëse një njeri që punon mirë nuk ka mundësi të ecë përpara nga ai që punon më pak ose që thotë ‘i kam krahët e ngrohtë’, nuk kemi ndryshuar asgjë”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se reforma do të përfshijë edhe vlerësimin e drejtuesve të institucioneve, duke analizuar rezultatet e punës së tyre. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një proces që synon largimin masiv të drejtorëve, por për të dalluar institucionet ku ka profesionalizëm nga ato ku problemet dhe rutina përsëriten.
Pjesë e ndryshimeve të prezantuara është edhe krijimi, për herë të parë, i një Ministrie të Administratës Publike dhe Mirëqeverisjes. Drejtimi i saj do t'i besohet Adea Pirdenit. Institucioni i ri do të ketë në fokus organizimin e administratës, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe përgjegjësinë e punonjësve publikë ndaj qytetarëve.






Comments