top of page

Çmimet nën monitorim/ Nga shtatori nis “PriceWatch Albania”, ja si do të funksionojë

Aug 26
1 min read

Nga muaji shtator pritet të nisë “PriceWatch Albania”, një platformë e re që synon t’u japë konsumatorëve mundësinë të shohin dhe të krahasojnë çmimet e produkteve bazë në treg.


Lajmin e ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetet sociale Delina Ibrahimaj, e cila thekson se qëllimi është rritja e transparencës dhe informimi më i mirë i konsumatorëve.


Sipas Ibrahimajt, platforma do të integrohet edhe në "PasqyrAlbania" dhe do t’u mundësojë qytetarëve shqiptarë, por edhe konsumatorëve të huaj që ndodhen në Shqipëri, të kontrollojnë çmimet dhe të shohin se ku mund t’i blejnë produktet më lirë.


“Çmimet duhet të jenë të dukshme, të krahasueshme dhe transparente për çdo qytetar”, shkruan Ibrahimaj.


Një tjetër element i platformës do të jetë mekanizmi i raportimit, përmes të cilit synohet të ndiqet zinxhiri i çmimit, nga importi ose prodhimi deri te pika e shitjes. Sipas Ibrahimajt, kjo do të shërbejë për të kuptuar se ku krijohen diferencat e çmimeve dhe për të evidentuar rastet e mundshme të abuzimit.


“Në një ekonomi të lirë, çmimet përcaktohen nga tregu. Roli ynë është të garantojmë transparencë, monitorim dhe më shumë informacion për konsumatorin”, shprehet ajo.


Platforma synon t’i japë konsumatorit një mjet konkret për të krahasuar çmimet përpara se të bëjë blerjet dhe për të zgjedhur alternativën më të leverdishme.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page