Çmimet nën lupën e qeverisë, supermarketet nuk japin të dhënat

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit nga pjesa më e madhe e rrjeteve të supermarketeve për nismën “Pasqyra e Çmimeve”, që synon të rrisë transparencën mbi çmimet e produkteve bazë dhe t’u mundësojë konsumatorëve të krahasojnë çmimet në treg. Gjatë një takimi me supermarketet dhe furnitorët, Ibrahimaj tha se ministria u kishte kërkuar rrjeteve kryesore të dorëzonin listën e produkteve më të shitura, përfshirë produktet ushqimore të shportës dhe ato të higjienës. Kërkesa kishte për qëllim krijimin e një pasqyre me çmimet e produkteve vendase dhe atyre të importuara. Sipas ministres, megjithëse supermarketet ishin shprehur dakord me nismën, pas dy javësh vetëm një prej rrjeteve kishte dërguar listën e kërkuar.
“U la kohë e mjaftueshme. Unë jam e bindur që të gjitha supermarketet e kanë mundësinë për ta nxjerrë këtë listë me produktet më të shitura për një orë. U lanë këto dy javë dhe vetëm një nga rrjetet e supermarketeve ktheu përgjigje për këtë listë”, tha Ibrahimaj. Ministrja tha se nisma synon jo vetëm transparencën për konsumatorët, por edhe të kuptuarit e mënyrës se si formohen çmimet dhe të identifikohet hallka e zinxhirit ku ato rriten. Sipas saj, forcimi i lekut ndaj euros duhet të kishte ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve të importuara, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e produkteve të shportës importohen. Ibrahimaj ngriti pyetjen se pse këto zhvillime nuk janë reflektuar te konsumatori.
“Pse këto zhvillime pozitive nuk transferohen te konsumatorët?”, u shpreh ministrja, duke shtuar se për të kuptuar këtë dukuri duhet analizuar se “ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten në vend”. Ibrahimaj iu referua edhe raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit inflacioni i importuar në gjashtëmujorin e parë të vitit ka qenë në rënie. Sipas saj, kjo e bën të nevojshme analizën e çmimeve të produkteve vendase dhe të hallkave që ndikojnë në rritjen e tyre. Një tjetër propozim i diskutuar me supermarketet lidhet me krijimin e një liste produktesh me vlerë të ulët, të destinuara për shtresat në nevojë. Sipas ministres, supermarketet do të angazhoheshin t’i shisnin këto produkte me fitim minimal ose zero, ndërsa çmimet do të fiksoheshin deri në fund të vitit. Edhe për këtë listë, sipas Ibrahimajt, vetëm një subjekt kishte dhënë përgjigje. “Unë besoj që ne jemi të gjithë për një qëllim dhe duhet që, përveçse qëllimit të fitimit, kompanitë patjetër të mendojnë edhe për mbrojtjen e konsumatorit, edhe për të mirën publike”, tha ministrja.
Në takimin me supermarketet dhe furnitorët ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Petrit Malaj. Ibrahimaj tha se përfshirja e Ministrisë së Financave lidhet edhe me interesin për monitorimin e marzheve.
“Pasqyra e Çmimeve” synon t’u japë konsumatorëve informacion të drejtpërdrejtë për çmimet e produkteve bazë dhe mundësinë për t’i krahasuar ato, ndërsa mekanizmi parashikon edhe ndjekjen e zinxhirit të formimit të çmimit, nga importi ose prodhimi deri te pika e shitjes.






Comments