Çmime më të ulëta në supermarkete si në Greqi? Ibrahimaj zbulon nismën

Qeveria po shqyrton aplikimin në Shqipëri të një modeli të përdorur në Greqi për të mbajtur të ulëta çmimet e një grupi produktesh bazë, veçanërisht për familjet në nevojë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se në takimet me rrjetet e supermarketeve është diskutuar krijimi i një liste të posaçme produktesh me vlerë të ulët. Sipas saj, këto produkte do t’u dedikoheshin shtresave në nevojë dhe supermarketet do të angazhoheshin t’i shisnin me një fitim minimal ose edhe pa fitim.
“Duke ndjekur shembullin e Greqisë, për të përcaktuar një listë produktesh të cilat janë me vlerë të ulët, të cilat i dedikohen shtresave në nevojë, të cilat do të angazhoheshin supermarketet t’i shisnin me një fitim minimal ose zero dhe do të fiksonim këto çmime për një periudhë deri në fund të vitit”, tha Ibrahimaj.
Në Greqi u arrit një “Marrëveshje Kombëtare për Uljen e Çmimeve” mes qeverisë, furnitorëve dhe zinxhirëve të supermarketeve. Nga 1 shtatori hynë në fuqi ulje për 1.740 produkte, me një ulje mesatare rreth 9.5%. Në nismë morën pjesë mbi 100 furnitorë dhe 12 zinxhirë supermarketesh.






Comments