Siguria ushqimore, prova e radhës për Shqipërinë. Zv.ministrja: Sfidë e madhe për integrimin

Në një kohë kur Shqipëria synon të ruajë ritmin e negociatave dhe të mbyllë të gjithë grupkapitujt deri në vitin 2027, siguria ushqimore përbën një prej sektorëve ku përafrimi me standardet europiane kërkon angazhim të institucioneve si në nivel qendror, ashtu edhe vendor. Zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino tha në një intervistëj se krahas grupkapitullit të “Themeloreve”, ku përfshihen kapitujt 23 dhe 24, vëmendje të veçantë do të kërkojnë edhe sektorët që lidhen me prodhimin bujqësor dhe kontrollin e ushqimit.
“Padyshim që për sa i përket kapitujve të bujqësisë dhe zhvillimit rural apo sigurisë ushqimore apo mjedisi. Janë tema dhe janë sektorë të rëndësishëm të cilat prekin dhe kërkojnë kapacitete të shumta në nivel qendror por edhe vendor”, deklaroi zv.ministrja.
Kjo e vendos sigurinë ushqimore përballë një sfide që nuk lidhet vetëm me rregullat dhe legjislacionin, por edhe me kapacitetin e institucioneve për t’i zbatuar ato në praktikë. Përmbushja e standardeve europiane kërkon angazhim në disa hallka, nga prodhimi bujqësor dhe përpunimi, deri te kontrollet dhe administrimi i sektorit.
Fino nënvizoi se puna për negociatat nuk është përgjegjësi vetëm e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Procesi përfshin të gjithë qeverinë dhe administratën publike, ndërsa për sektorë si siguria ushqimore nevojitet bashkëpunim edhe në nivel vendor.
“Puna vazhdon, është e përditshme, jo vetëm për ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, është një punë që i përket të gjithë qeverisë shqiptare dhe administratës”, tha ajo.
Shqipëria ka tashmë të hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave, ndërsa në korrik mbylli tre kapitujt e parë, “Shkenca dhe Kërkimi”, “Arsimi dhe Kultura” dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”. Sipas Finos, objektivi i radhës është ruajtja e këtij ritmi dhe vijimi i mbylljes së kapitujve të tjerë.
Zv.ministrja tha se brenda më pak se dy vitesh janë hapur të gjithë grupkapitujt dhe se paralelisht është bërë progres edhe me piketat e ndërmjetme. Sipas saj, mbajtja e këtij momentumi është thelbësore për të arritur objektivin e dakordësuar me Komisionin Europian për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Mes fushave të tjera që pritet të kërkojnë punë intensive është edhe grupkapitulli i “Themeloreve”, ku bëjnë pjesë kapitujt 23 dhe 24. Fino shpjegoi se ky grupkapitull ka një rol të veçantë në proces, pasi hapet i pari dhe mbyllet i fundit






Comments