Rritje ekonomike, por presione të forta/ Çfarë paralajmëron BERZH për Shqipërinë

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5% këtë vit dhe po me të njëjtin ritëm edhe në 2027, por perspektiva nuk është pa rreziqe. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se presionet mbi konkurrueshmërinë, ndryshimet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë mund të ndikojnë në ecurinë e ekonomisë në periudhën e ardhshme. BERZH e ka rishikuar lehtë në rritje parashikimin për Shqipërinë për vitin 2026. Në raportin e qershorit, banka priste një rritje prej 3.4%, ndërsa tashmë parashikimi është 3.5%. Për vitin 2027, pritshmëria mbetet po në 3.5%. Sipas BERZH, përmirësimi i parashikimit lidhet me investimet dhe reformat që janë të lidhura me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por tabloja është më e dobët në industri dhe bujqësi, të cilat kanë vijuar të tkurren. BERZH e lidh këtë ecuri me forcimin e lekut, kërkesën e dobët nga jashtë dhe rritjen e pagave, faktorë që kanë ushtruar presion mbi konkurrueshmërinë e bizneseve. Një tjetër rrezik lidhet me klimën dhe energjinë. BERZH paralajmëron se ndryshimet klimatike dhe paqëndrueshmëria e çmimeve të energjisë, veçanërisht në kushtet e konfliktit në Lindjen e Mesme, mund të ndikojnë në parashikimet për ekonominë shqiptare. Sipas BERZH, çmimet e energjisë dhe ushqimeve, thatësirat, ndërprerjet e transportit në Detin e Zi dhe kushtet më të shtrënguara të financimit janë faktorë që mund të rëndojnë perspektivën ekonomike. Çmimi i gazit është rritur me më shumë se 70% që nga shkurti, ndërsa gruri është shtrenjtuar me më shumë se një të tretën.
Përballë rritjes së kostove të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, qeveria ka ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin te konsumatorët, përfshirë uljen e akcizës, kufizimet e çmimeve dhe subvencionimin e transportit publik. Norma bazë e interesit ka mbetur në 2.5% që prej mesit të vitit 2025.






Comments