Rritja e çmimeve u frenua në shtator, por ushqimet dhe transporti “godasin” familjet

Inflacioni në Shqipëri u ngadalësua në 2.9% në shtator, nga 3.2% në gusht, por struktura e rritjes së çmimeve tregon se presionet mbi buxhetet e familjeve mbeten të forta. Ushqimet dhe transporti dhanë kontributin më të madh në inflacionin vjetor, ndërsa Banka e Shqipërisë po sinjalizon se rreziqet për çmimet mund të kërkojnë një politikë monetare më shtrënguese.
Sipas të dhënave të INSTAT, çmimet e konsumit në shtator u rritën me 2.9% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vetëm gjatë muajit shtator ato u rritën me 0.4%. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në inflacionin vjetor, me 0.96 pikë përqindje, ndërsa “Transporti” kontribuoi me 0.81 pikë përqindje. Presion të rëndësishëm vijoi të japë edhe grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me 0.54 pikë përqindje.
Në terma vjetorë, rritja më e fortë e çmimeve është regjistruar pikërisht në transport, me 12.4%, duke reflektuar peshën që kostot e transportit dhe karburanteve kanë në ekonominë e familjeve dhe biznesit. Pas transportit, rritjet më të larta janë regjistruar te argëtimi, sporti dhe kultura, me 5.9%, sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.5%, ushqimet dhe pijet joalkoolike me 2.8%, si dhe qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera me 2.7%.






Comments