Kontratat për 2027 janë mbyllur, Unioni Turistik kundër taksave të reja

Unioni Turistik Shqiptar ka dalë kundër ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke kërkuar rishikimin e masave që parashikojnë rritjen e TVSH-së për shërbimet turistike nga 6% në 10% dhe të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Sipas organizatës, këto ndryshime do të shtojnë barrën mbi bizneset, do të frenojnë investimet dhe do ta vendosin Shqipërinë në pozita më pak konkurruese përballë destinacioneve të tjera të rajonit.
Në një deklaratë, Unioni paralajmëron se propozimet fiskale “rëndojnë më tej klimën e biznesit, dobësojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe frenojnë investimet private”. Organizata thekson se prej tre vitesh ka kërkuar aplikimin e një norme të unifikuar prej 10% të TVSH-së për të gjitha shërbimet turistike, me argumentin se një skemë e tillë do të thjeshtonte procedurat dhe do të krijonte kushte më të barabarta konkurrimi me vendet e rajonit.
“Ne, si Union Turistik, kemi kërkuar që para 3 vitesh të kemi një TVSH prej 10% për të gjitha shërbimet që përfshijnë sektorin e turizmit, sepse kjo do ta thjeshtonte procedurën dhe do të na bënte më konkurrues me vendet e tjera të rajonit tonë”, thuhet në deklaratë.
Sipas Unionit, Shqipëria përballet me një disavantazh fiskal krahasuar me disa prej destinacioneve që konkurrojnë për të njëjtët turistë. Në Greqi, TVSH-ja për shërbimet turistike, përfshirë hotelerinë, transportin, ushqimin dhe pijet, është 13%, ndërsa Maqedonia e Veriut aplikon normë 5% për akomodimin dhe 10% për shërbimet e tjera turistike.
Ndërkohë, Italia ka një normë prej 10% për sektorin, por Unioni vlerëson se ky vend nuk mund të merret si pikë e drejtpërdrejtë krahasimi për Shqipërinë, për shkak të dallimeve mes destinacioneve dhe kushteve të konkurrencës.
Një tjetër pikë kundërshtimi është rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Sipas Unionit Turistik, kjo normë do ta vendoste Shqipërinë mbi disa vende konkurruese, si Greqia, ku tatimi mbi dividendin është 5%, dhe Kroacia, ku është 10%. “Prandaj, nuk do të ishte normale që të pretendohet se Shqipëria do të konkurronte me këto vende, të cilat e kanë dividendin sa gjysmën e tatimit që paguajnë bizneset tona”, argumenton organizata.
Shqetësimi i sektorit lidhet edhe me kohën kur pritet të hyjnë në fuqi ndryshimet. Unioni nënvizon se operatorët turistikë kanë nënshkruar tashmë kontratat me partnerët ndërkombëtarë për sezonin e vitit 2027, ndërsa çmimet për paketat turistike janë përcaktuar disa muaj më parë.
Për këtë arsye, sipas organizatës, bizneset nuk mund ta transferojnë automatikisht te klientët koston shtesë që mund të krijojë rritja e TVSH-së. Kjo do të thotë se barra fiskale mund të përthithet nga vetë sipërmarrjet, duke ndikuar në marzhet e fitimit dhe planet e tyre financiare. Përballë këtyre shqetësimeve, Unioni Turistik kërkon rishikimin e masave që rrisin barrën fiskale, duke vlerësuar jo vetëm efektin e secilës prej tyre, por edhe ndikimin e kombinuar në investime, punësim dhe konkurrueshmëri.






Comments