top of page

Rezervë nafte për 90 ditë/ PD kundërshton tarifën dhe përfshirjen e privatëve

Oct 2
2 min read

Krijimi i rezervës kombëtare të sigurisë së naftës ka hapur një përplasje të re mes qeverisë dhe opozitës, me Partinë Demokratike që kërkon ndryshimin e mënyrës së financimit, blerjes dhe administrimit të rezervës. Deputeti demokrat Enno Bozdo depozitoi në Kuvend një paketë amendimesh për projektligjin e qeverisë, duke kundërshtuar veçanërisht vendosjen e një tarife mbi produktet hidrokarbure dhe mundësinë e përfshirjes së operatorëve privatë në administrimin e rezervave. Sipas projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, Shqipëria synon të krijojë gradualisht rezerva që arrijnë të paktën 90 ditë të importeve neto mesatare ditore ose 61 ditë të konsumit të brendshëm mesatar ditor, duke u marrë si bazë sasia më e madhe.


Për financimin e sistemit, drafti parashikon ndër të tjera të ardhura nga një tarifë e aplikuar mbi produktet energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës. Tarifa do të mblidhet kur produkti hidhet në qarkullim dhe niveli i saj do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave në bazë të nevojave financiare të Autoritetit për Rezervën e Sigurisë. “Rezerva do të krijohet, ajo do të kërkojë nga 300 deri 350 milionë euro dhe barra për këtë do të bjerë përsëri tek shqiptarët”, tha Bozdo.


Amendimet e opozitës kërkojnë që kostoja e krijimit dhe mbajtjes së rezervës të përballohet tërësisht nga buxheti i shtetit, pa vendosur një tarifë të re mbi hidrokarburet. Një tjetër pikë ku PD kërkon ndryshim lidhet me mënyrën e blerjes së karburantit. Opozita kërkon që procedurat të zhvillohen përmes garës dhe transparencës, ndërsa projektligji i qeverisë parashikon që Autoriteti mund të përdorë edhe procedura të veçanta për blerjen, shitjen dhe kontraktimin e shërbimeve të depozitimit, për sa kohë justifikohen nga natyra e rezervës dhe respektohen parimet e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit. PD kundërshton gjithashtu mundësinë e përfshirjes së operatorëve privatë në menaxhimin e rezervës. Projektligji parashikon që rezervat mund të mbahen nga Autoriteti ose nga operatorë ekonomikë të autorizuar përmes marrëveshjeve kontraktore me Autoritetin.


Ndërsa opozita kërkon që operatori përgjegjës për furnizimin në rast krize të jetë 100% shtetëror dhe të mos privatizohet. “Operatori publik, kompania e cila menaxhon furnizimin me naftë në rast krize, nuk mund të jetë private siç e kërkon qeveria! Ajo do të jetë 100% shtetërore dhe nuk mund të privatizohet”, deklaroi Bozdo.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page