top of page

Reduktim drastik i flotës! Tirana sot me 72 autobusë më pak, kaos në stacione

Sep 1
2 min read

Numri i autobusëve urbanë në qarkullim në Tiranë është reduktuar ndjeshëm. Nga 272 autobusë të parashikuar për shërbimin urban, aktualisht janë në qarkullim rreth 200, çka do të thotë se rreth 72 mjete më pak po operojnë në linjat e transportit publik.


Reduktimi është bërë për shkak të kostove të larta të operimit, veçanërisht të çmimit të karburantit. Shoqatat e transportit urban kanë argumentuar se nafta vijon të jetë e shtrenjtë dhe se kjo situatë po rëndon aktivitetin e operatorëve.


Efektet e kësaj mase kanë nisur të jenë të pranishme në shërbimin urban, por ende nuk mund të përcaktohet me saktësi se sa i madh do të jetë ndikimi te qytetarët. Arsyeja kryesore është se shkollat ende nuk kanë nisur dhe fluksi i pasagjerëve nuk ka arritur në nivelet që karakterizojnë ditët e zakonshme të vitit shkollor.


Me reduktimin e flotës, intervalet e pritjes do të zgjasin dhe numri i pasagjerëve për autobus do të rritet, sidomos në oraret e pikut. Megjithatë, situata aktuale nuk është ende treguesi më i mirë për atë që mund të ndodhë në ditët në vijim.


Nisja e vitit të ri shkollor pritet të jetë momenti kur do të shihet më qartë efekti i reduktimit të flotës. Rikthimi i nxënësve, studentëve dhe qytetarëve që i drejtohen çdo ditë qendrës së Tiranës pritet të shtojë ndjeshëm kërkesën për transport.


Në këto kushte, pyetja kryesore është nëse rreth 200 autobusët që janë aktualisht në qarkullim do të mund të përballojnë fluksin e shtuar, pa krijuar pritje të gjata, mbingarkesë dhe vonesa në linja, në rast se situata vijon njësoj dhe qeveria nuk merr zgjidhje për situatën.


Shoqatat e operatorëve të transportit urban e kanë lidhur reduktimin me çmimin e lartë të naftës. Sipas tyre, kostot e karburantit vijojnë të jenë një barrë e rëndësishme për kompanitë që operojnë linjat urbane.

Për periudhën mars-maj, operatorët kanë përfituar një subvencion prej 50 lekësh për litër karburant. Ndërkohë, edhe pse është diskutuar mundësia e një tjetër skeme mbështetëse nëse çmimet do të mbeteshin të larta, deri tani nuk ka një vendim zyrtar për një subvencionim të dytë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page