Rama zbulon planin e ri, çfarë po përgatitet për shqiptarët jashtë vendit?

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nga New York-u se Shqipëria po përgatit një instrument të ri financiar, të quajtur “Bonot e Diasporës”, për të rritur përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama tha se bonot synojnë ta çojnë në një tjetër nivel pjesëmarrjen e diasporës në rritjen e vendit. “Po përgatisim Bonot e Diasporës që më së fundi ta çojmë në një tjetër nivel përfshirjeje Diasporën sa i takon pjesëmarrjes në rritjen e vendit”, deklaroi Rama.
Njoftimi vjen në një moment kur qeveria po kërkon të tërheqë më shumë investime dhe kapital në vend. Në të njëjtën fjalë, Rama tha se PBB-ja e Shqipërisë ka arritur në rreth 30 miliardë dollarë, nga rreth 12 miliardë dollarë një dekadë më parë, duke e lidhur këtë rritje me investimet. Kryeministri deklaroi gjithashtu se Shqipëria po përgatitet të sjellë miliarda dollarë investime, jo vetëm përmes projektit të Jared Kushner, por edhe përmes projekteve të tjera të mëdha që, sipas tij, janë aktualisht në proces.
Në këtë kuadër, “Bonot e Diasporës” paraqiten si një mënyrë për ta kthyer lidhjen e diasporës me Shqipërinë edhe në një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit. Instrumenti pritet t’u japë shqiptarëve jashtë vendit mundësinë për të investuar në një produkt financiar të lidhur me financimin e ekonomisë shqiptare. Por ende nuk janë bërë publike detajet teknike të skemës. Në deklaratën e Ramës nuk specifikohet vlera totale e bonove që do të emetohen, norma e interesit, afati i maturimit, mënyra e blerjes apo projektet konkrete ku do të orientohen fondet.






Comments