Qiratë “fluturojnë” në shtator, eksperti zbulon çfarë po ndodh

Tregu i pasurive të paluajtshme po përjeton një periudhë me kërkesë të lartë, ndërsa nisja e vitit akademik po rikthen në fokus edhe tregun e qirave. Qendra e qytetit mbetet zgjedhja kryesore për një pjesë të konsiderueshme të kërkuesve, ndërsa zonat periferike ofrojnë alternativa më ekonomike.
Demirxhiu deklaroi në një intervistë se gjatë muajve të verës është vërejtur një fluks i shtuar kërkese në treg. Megjithatë, sipas tij, ritmi i kësaj kërkese është zbutur krahasuar me periudhat e mëparshme. Një tjetër faktor që ka ndikuar në treg është procesi i rivlerësimit të pronave me tatim të reduktuar në masën 5%. Ky proces ka nxitur daljen në treg të një numri pronash që më parë qëndronin stok, duke pasur ndikim edhe në ecurinë e kredive.
Sa i përket qirave, muaji shtator shoqërohet me një rritje të kërkesës, e lidhur drejtpërdrejt me rikthimin e studentëve dhe nisjen e vitit të ri akademik. Sipas ekspertit, zonat qendrore vijojnë të jenë më të preferuarat, ndërsa në periferi mund të gjenden banesa me çmime më të përballueshme. Një prej zonave të përmendura është Paskuqani, i cili, sipas Demirxhiut, mund të kishte potencial më të madh nëse do të kishte një infrastrukturë më të zhvilluar.
“Qendra është zona më e kërkuar. Në zonat periferike ka çmime më të përballueshme”, u shpreh eksperti.
Në tregun e qirave, një tjetër element që ndikon në marrëdhënien mes pronarëve dhe qiramarrësve lidhet me studentët. Demirxhiu tha se një pjesë e pronarëve preferojnë të mos ua japin banesat studentëve, duke argumentuar se kërkohet më shumë kujdes në respektimin e kushteve të kontratës. Megjithatë, kërkesa për banesa mbetet e lartë në periudhën e fillimit të vitit akademik, duke ushtruar presion mbi tregun e qirave.
Pavarësisht kërkesës së lartë, pritshmëria e ekspertit është që rritja e çmimeve të vijojë me ritëm më të moderuar. Pra, edhe pse tregu nuk pritet të kthehet në një periudhë rënieje çmimesh, dinamika e rritjes mund të jetë më e kontrolluar në vijim. Qendra është zona më e kërkuar. Në zonat periferike ka çmime më të përballueshme. Zona e Paskuqanit nëse do të kishte më shumë infrastrukturë do të ishte shumë e kërkuar edhe për çiftet. Ka shumë klientë që nuk i duan studentët, pasi duhet të jenë më të rregullt me pikat e kontratës. E njëjta logjikë vlen dhe për shitjen e pronave, si qiraja. Trendi vazhdon të jetë rritës. Rritja e çmimeve do të jetë më e moderuar”, tha Demirxhiu.






Comments