top of page

Qeveria greke "hap thesin": 400 euro bonus çdo vit për pensionistët, ja kur nis pagesa

Sep 6
2 min read

Një paketë e re masash ekonomike pritet të prekë pensionet, pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore në Greqi. Ndër ndryshimet kryesore është pagesa vjetore prej 400 eurosh për pensionistët, ndërsa në vitet në vijim parashikohen bonuse dhe rritje të tjera për punonjësit e sektorit publik e privat. Pagesa shtesë prej 400 eurosh pritet të nisë në nëntor 2026 dhe të përsëritet çdo vit. Skema do të zgjerohet ndjeshëm, pasi pritet të hiqen kriteret që lidhen me të ardhurat dhe pasurinë. Numri i përfituesve parashikohet të shkojë nga rreth 1.87 milionë në afro 2.2 milionë persona.


Kushti kryesor do të jetë mosha: përfituesit duhet të kenë mbushur 65 vjeç. Masa parashikohet të përfshijë gjithashtu personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e pasiguruar. Pagesa është rritur me 100 euro krahasuar me nivelin prej 300 eurosh dhe tashmë është afër pensionit kombëtar, i cili është rreth 446 euro.


Një tjetër ndryshim pritet në fund të dhjetorit, kur mekanizmi i njohur si “diferenca personale” parashikohet të hiqet përfundimisht. Kjo do të hapë rrugën që rritja vjetore të përfitohet e plotë nga rreth 2.5 milionë pensionistë. Të përfshirë në këtë grup janë edhe rreth 670 mijë persona që vazhdojnë të kenë diferencë personale. Shembujt e paraqitur nga autoritetet greke tregojnë se përfitimi ndryshon sipas nivelit të pensionit. Një pensionist me 823 euro do të marrë 208 euro më shumë në vit, ndërsa me bonusin 400 euro përfitimi total vjetor shtesë do të arrijë në 608 euro. Për pensionin 1086 euro, përfitimi vjetor parashikohet në 684 euro, ndërsa për një pension prej 1716 eurosh, shuma arrin në 849 euro.


Ndryshimet nuk ndalen te pensionistët. Nga dhjetori 2027, rreth 720 mijë punonjës të sektorit publik pritet të marrin çdo vit një bonus prej 500 eurosh bruto për Krishtlindje. Masa shihet si një rikthim i pjesshëm i pagës së 13-të. Kontributet për pension do të llogariten edhe mbi këtë bonus, duke ndikuar në përfitimet e ardhshme të punonjësve. Po ashtu, punonjësit e administratës publike pritet të përfitojnë 30 euro shtesë nga 1 prilli 2027, pavarësisht nivelit të pagës. Në sektorin privat, fokusi është te rritja graduale e pagës minimale. Sipas planit të paraqitur, në prill 2027 paga minimale do të kalojë në mbi 950 euro, ndërsa objektivi është që në janar 2028 të arrijë në 1000 euro. Rritja do të reflektohet edhe te pagat e punonjësve që përfitojnë shtesa për përvojën në punë. Një punonjës me një trevjeçar përvojë, sipas shembullit të dhënë në material, mund të arrijë në një pagë prej rreth 1045 eurosh pas rritjes.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page