Pse ndërtimi është kthyer në një sektor të rrezikshëm për ekonominë ?

Nga Irena Beqiraj
Aktiviteti i ndërtimit bëhet i rrezikshëm për një ekonomi kur:
1) pjesa që ai zë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) kalon pragun prej 10%, ose
2) kur rritja e sektorit tejkalon rritjen e përgjithshme ekonomike me më shumë se 2 deri në 3 pikë përqindjeje
ndërkohë që vërehet një bum krediti për pasuri të paluajtshme/ndërtim si dhe rritje të çmimeve të pronave.
Kur investimet në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme zënë më shumë se 10% të PBB-së, edhe ai zgjerohet më shpejt se ekonomia në tërësi kjo tregon një çekuilibër strukturor në ekonomi. Përveçse ndërtimi nuk ka potencialin e rritjes që mund të ofrojnë shumë sektorë të tjerë , ku do të veçoja industrinë, më shumë investime në ndërtim jo vetëm largojnë burimet nga aktivitetet më produktive duke e bërë ekonominë edhe më joproduktive , por ndikimi i tij në sektorin financiar shtrihet në afat më të gjatë. Pra ai shtrihet edhe kur ritmet e zgjerimit të sektorit të ngadalësohen.
Të dhënat për Shqipërinë japin prova të forta se ndërtimi është tanimë një rrezik për ekonominë .
-Pragu prej 10% është tejkaluar që në vitin 2022!
Pjesa e ndërtimit u rrit nga 9.5% e PBB-së që ishte në vitin 2021 në rreth 11.2% në vitin 2022 duke arritur 12.6% të PBB-së në 2025 . Ky nivel padyshim që tregon një ndryshim strukturor mjaft të qartë.
Ndërsa në vitin 2021 ndërtimi ishte ende nën 10% të PBB-së, kriteri i dytë i rritjes relative njohu një tejkalim të fortë ai u rrit afërsisht 9 pikë përqindjeje më shpejt se PBB-ja . Ky ishte një tejkalim jashtëzakonisht i fortë i rritjes së sektorit të ndërtimit relativisht me ekonominë .
Në vitin 2022 sektori i ndërtimit e tejkaloi pragun 10% të PBB ndërsa rritja e ndërtimit ishte 10.7% , krahasuar me rritjen e PBB-së prej afërsisht 4.8% - një prim prej rreth 5.9 pikësh përqindjeje sërisht më e lartë se pragu relativ 3 pikë përqindjeje. Në vitin 2023 ndërtimi zinte 11.65% të PBB ndërkohë që ende rritej me rreth 6 pikë përqindjeje më shpejt se PBB-ja. Ndërsa, në vitin 2024 -2025 ndërtimi vazhdon të zërë mbi 10% të PBB-së por ai rritja e tij në krahasim është vetëm 0.5% , pra më e ulët se pragu 3 %. Megjithatë, në formulimin e e kushteve të mësipërme ka një përcaktim të rëndësishëm: "gjatë një bumi kreditimi për ndërtime".
Në vitin 2022 , kreditimi për ndërtime të reja arriti në 22.7 miliardë lekë vetëm në shtatë muajt e parë , duke shënuar një rritje prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Portofoli i papaguar i kredisë për ndërtim arriti në 70.4 miliardë lekë , pothuajse 30% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar . Në të njëjtën kohë, vlera e lejeve të ndërtimit u rrit me 54% në gjysmën e parë të vitit 2022 dhe çmimet e pronave po rriteshin me afërsisht 9% në vit. Në vitin 2023 , bankat ofruan afërsisht 39.6 miliardë lekë në kredi për ndërtime të reja, rreth 6.7% më shumë se në vitin 2022. Ndërtimi ishte përfituesi i dytë më i madh i kredisë së re për bizneset, duke përbërë rreth 18.2% të totalit. Më pas, në vitin 2024 , kreditimi për ndërtime të reja u rrit në 48.6 miliardë lekë , një rritje tjetër prej 22.7% , ndërsa portofoli i papaguar i ndërtimit arriti në 77.9 miliardë lekë , me rreth 7% rritje. Në vitin 2025, kredia për sektorin privat po zgjerohej me afërsisht 16% v/v në gjysmën e parë të vitit , duke e çuar raportin e kredisë ndaj PBB-së për sektorin privat në 32.7% .
Pra, kemi një dallim të rëndësishëm:
2021–23: vërehet një rritje të shpejtë të ndërtimit si dhe rritje e shpejtë e çmimeve të pronave , shoqëruar me përshpejtim të kreditimit të pasurive të paluajtshme/ndërtimit.
2024–25: rritja e sektorit ngadalësohet por kreditimi i pasurive të paluajtshme vazhdoi të zgjerohej me shpejtësi sikurse çmimet njohin rritje.
Kjo është një shenjë paralajmëruese që edhe pse rritja e sektorit të ndërtimit normalizohet edhe bëhet e krahasueshme me rritjen ekonomike, kreditimi i pasurive të paluajtshme dhe çmimet e pronave kanë vazhduar të rriten. Pra, historia duket se po kalon nga një bum i prodhimit të ndërtimit në një rrezik më të gjerë të financimit të pasurive të paluajtshme. Banka e Shqipërisë e ka konsideruar këtë situatë si mjaftueshëm të rrezikshme ndaj në 2025 prezantoi kufizime të reja makroprudenciale për kreditimin e pasurive të paluajtshme .
Nuk mund të vazhdojmë të luajmë me zjarrin . Indeksi i mbi nxehjes së sektorit pësojë një ulje nga 6 në 4 në vitin 2024 por sërish u rrit në 5 në vitin 2025 për shkak të kreditimit edhe rritjes së çmimeve. Kush harton politikat ekonomike të këtij vendi duhet ti vendos gishtin kokës , nëse e ka akoma një kokë mbi shpatulla.






Comments