top of page

Paralajmërimi i fortë për çmimin e naftës: Mund të arrijë në 260 lekë/litër

Sep 15
2 min read

Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 229 lekë për litër, duke shtuar presionin mbi konsumatorët dhe bizneset. Ky nivel është ndër më të lartët në rajon, ndërsa nëse kthehemi pas në kohë, duket sikur tregu shqiptar po përjeton thuajse të njëjtën krizë çmimesh si ajo kur nisi lufta në Ukrainë.


Eksperti Igli Tola vlerëson se Shqipëria ka pasur çmimet më të larta të karburanteve në rajon edhe përpara krizës së fundit ndërkombëtare. Ai sjell si shembull periudhën kur në Shqipëri një litër naftë tregtohej rreth 170–180 lekë, ndërsa në vende fqinje si Kosova dhe Mali i Zi çmimi ishte rreth 1.3–1.4 euro për litër. Sipas tij, rritja e fundit e çmimit të naftës është e lidhur kryesisht me shtrenjtimin e naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Tola paralajmëron se çmimi mund të shkojë edhe në nivele prej 250–260 lekësh për litër nëse situata ndërkombëtare përkeqësohet dhe nuk merren masa në nivel vendas.


"Duke qenë se transporti është një nga zërat kryesorë të formimit të çmimit, patjetër që një rritje në çmimin e karburanteve do të sjellë një rritje ose një inflacion të shtuar për të gjithë shportën e konsumit. Aktualisht çmimi është i hapur dhe ne mund të shohim edhe vlera 250–260 lekë për litër e të mos kemi më mundësi për të reaguar. Duhet të presim një vjeshtë që do të jetë e vështirë për sa kohë nuk po ka një zgjidhje për situatën në Lindjen e Mesme. Ajo që duhet bërë është që, ndaj problemeve që janë në nivel ndërkombëtar apo global, të mundohen të japin disa zgjidhje lokale. Pra, të ketë veprime nga qeveria për t’i dhënë zgjidhje lokale, të paktën për të frenuar kostot e shtuara për xhepat e qytetarëve", tha Igli Tola në një intervistë televizive.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page