Nga rritja rekord, te frenimi i fortë! Çfarë po ndodh me çmimet e shtëpive

Tregu i pasurive të paluajtshme duket se po hyn në një fazë tjetër, ku çmimet e banesave vijojnë të rriten, por me një ritëm dukshëm më të ulët se në vitet e fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se rritja vjetore e çmimeve ka zbritur në 10%, ndërsa një vit më parë kishte arritur në 41.7%.
Sipas Bankës Qendrore, Indeksi Fisher i çmimit të banesave nuk ndryshoi në gjashtë muajt e parë të këtij viti krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025. Megjithatë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet rezultuan 10% më të larta. Kjo tregon një frenim të fortë të ritmit të shtrenjtimit. Në gjysmën e dytë të vitit 2025, rritja vjetore ishte 28%, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të atij viti kishte arritur në 41.7%.
Në Tiranë, dinamika ka qenë disi ndryshe. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, çmimet e banesave u rritën me 10% në gjysmën e parë të këtij viti. Ndërkohë, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, rritja ishte 9%. Pavarësisht ngadalësimit të çmimeve, tregu nuk po përballet me një rritje të stokut të pronave të pashitura. Përkundrazi, numri i banesave dhe godinave tregtare që presin blerës ka vijuar të ulet për disa periudha radhazi.
Nga ana tjetër, shitja e një prone po kërkon më shumë kohë. Në rang vendi, një banesë kërkon mesatarisht 9.9 muaj për t'u shitur, nga 9.1 muaj që ishte kjo periudhë në vrojtimin e mëparshëm. Në Tiranë, koha mesatare e shitjes është rritur edhe më ndjeshëm, duke kaluar nga 8.1 në 9.7 muaj. Ndërkohë, në zonat bregdetare tendenca është e kundërt. Koha mesatare e nevojshme për shitjen e një prone ka zbritur nga 9.9 në 8.2 muaj. Në pjesën tjetër të vendit, shitja e banesave kërkon mesatarisht 10.6 muaj, nga 10.1 muaj në periudhën paraardhëse.
Sa i përket negocimit të çmimeve, diferenca mes vlerës së kërkuar nga shitësi dhe çmimit përfundimtar të transaksionit nuk ka pësuar ndryshime të mëdha. Shumica e pronave shiten me çmimin e kërkuar ose me një ulje deri në 5%. Kredia bankare mbetet një nga mënyrat kryesore të financimit të blerjes së pronave. Sipas agjentëve të përfshirë në vrojtim, rreth 58% e banesave dhe pronave tregtare të shitura janë blerë përmes huas bankare.






Comments