Moody’s vlerëson ekonominë e Shqipërisë: Nga e qëndrueshme në pozitive
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s Ratings ka ndryshuar perspektivën për Shqipërinë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, duke konfirmuar njëkohësisht vlerësimin e vendit për borxhin afatgjatë në monedhë të huaj dhe vendase, në nivelin Ba3. Sipas Moody’s, përmirësimi i perspektivës lidhet me forcimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë, çka rrit aftësinë e ekonomisë për të përballuar goditjet e mundshme, nëse ky trend vijon. Një tjetër faktor që ka ndikuar në vlerësimin pozitiv është përshpejtimi i reformave strukturore në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas agjencisë, ruajtja e këtij ritmi mund të kontribuojë në forcimin e institucioneve, përmirësimin e administratës publike, efektivitetin e politikës fiskale dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Megjithatë, Moody’s e ka mbajtur vlerësimin e Shqipërisë në Ba3, duke evidentuar edhe disa dobësi. Agjencia vlerëson se vendi ka ende mangësi në shtetin e së drejtës dhe kontrollin e korrupsionit, ndërsa nevojat relativisht të larta për huamarrje dhe rreziqet në sektorin bankar, të lidhura me rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave, mbeten faktorë ekspozues ndaj goditjeve të papritura.
Borxhi pritet të vijojë rënien
Moody’s vlerëson se Shqipëria ka regjistruar suficite primare të vogla në tre vitet e fundit, pas vendosjes së rregullit fiskal që kërkon një bilanc primar jo-negativ.
Agjencia parashikon që deficiti fiskal të jetë mesatarisht 2,3% e PBB-së në 2026–2027, kryesisht si pasojë e rritjes së shpenzimeve kapitale, përpara se të ulet gradualisht në rreth 1,6% të PBB-së në vitin 2030. Ndërkohë, borxhi i qeverisë së përgjithshme pritet të vijojë të ulet. Moody’s parashikon që ai të zbresë në 50,2% të PBB-së në vitin 2027, nga 52,9% në fund të vitit 2025, i mbështetur nga rritja ekonomike dhe kontrolli i deficitit fiskal.
Përmirësohet edhe pozicioni i jashtëm
Një tjetër tregues pozitiv është pozicioni i jashtëm i vendit. Deficiti i llogarisë korrente ra në 0,7% të PBB-së në vitin 2025, nga 2,4% një vit më parë, duke shënuar nivelin më të ulët historik. Për periudhën 2026–2027, Moody’s pret që deficiti i llogarisë korrente të mbetet pranë 1% të PBB-së, i mbështetur nga të ardhurat nga turizmi dhe flukset e qëndrueshme të remitancave. Në qershor 2026, rezervat valutore të Shqipërisë arritën në rreth 7,9 miliardë euro, nivel që sipas agjencisë mbulon më shumë se shtatë muaj importe.






Comments