Marrëveshje e re për studentët: Më shumë praktika dhe mundësi punësimi

Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës do të kenë më shumë mundësi për praktika profesionale dhe orientim drejt tregut të punës, ndërsa ekspertiza akademike pritet të përfshihet më gjerësisht në zhvillimin e sektorit bujqësor. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës nënshkruan marrëveshjen e re të bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Në fokus të marrëveshjes është krijimi i një lidhjeje më të drejtpërdrejtë mes formimit universitar dhe nevojave të tregut të punës. Nëpërmjet praktikave profesionale dhe orientimit të studentëve, synohet që ata të kenë më shumë informacion dhe mundësi për t’u përfshirë në institucionet që lidhen me sektorin e bujqësisë.
Marrëveshja parashikon gjithashtu informimin e studentëve për vendet vakante në Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet e saj të varësisë. Aplikimet do të bëhen në përputhje me profilet e tyre, përmes meritës dhe konkurrimit të hapur.
“Të investosh te të rinjtë dhe te dija do të thotë të investosh drejtpërdrejt në të ardhmen e bujqësisë shqiptare”, u shpreh ministri Andis Salla. Bashkëpunimi nuk do të kufizohet vetëm te punësimi dhe praktikat profesionale. Universiteti do të vërë në dispozicion edhe ekspertizën e stafit akademik dhe kërkuesve shkencorë për çështje që lidhen me zhvillimin e bujqësisë.
Fushat ku parashikohet bashkëpunimi përfshijnë bujqësinë, veterinari, sigurinë ushqimore, ekonominë bujqësore, bioteknologjinë, akuakulturën, si dhe administrimin e burimeve ujore dhe tokës. Sipas ministrit Salla, marrëveshja synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes dijes që ofron universiteti dhe nevojave konkrete të sektorit bujqësor. “Po ndërtojmë një marrëdhënie ku studentët fitojnë eksperiencë dhe mundësi, Universiteti sjell dijen dhe ekspertizën, ndërsa Ministria krijon urën që i lidh ato me nevojat reale të sektorit”, deklaroi Salla.






Comments