Indeksimi i dytë i pensioneve, a do të ketë rritje në vjeshtë?

Pensionistët nuk do të kenë një indeksim të dytë të pensioneve gjatë këtij viti. Pas rritjes me 2.7% të aplikuar në muajin korrik, qeveria nuk po shqyrton aktualisht një tjetër rritje të pensioneve, ndërsa për kompensimin e kostove të jetesës po mbështetet edhe te bonusi mujor. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, e cila ka sqaruar se indeksimi dhe bonuset po trajtohen si dy mekanizma të ndryshëm për të mbështetur të ardhurat e pensionistëve.
“Në fakt ka patur vite ku ne e kemi bërë më shumë se një herë indeksimin dhe kjo ka qenë pikërisht periudha pas luftës Rusi-Ukrainë, kur e gjithë bota u përball me një rritje shumë të shpejtë të çmimeve. Por siç thashë përveç indeksimit ne kemi filluar dhe politikën e shpërndarjes së bonuseve të pensionit pikërisht për të kompensuar të ardhurat e munguara, por edhe një rritje të paparashikuar të çmimeve, që rëndon konsumin e pensionistëve”, tha Manjani.
Indeksimi është mekanizmi përmes të cilit pensionet përshtaten me rritjen e çmimeve. Sipas shpjegimit të dhënë nga Manjani, përllogaritja bëhet mbi bazën e një shporte të dedikuar për pensionistët, ndërsa formula e indeksimit nuk pritet të ndryshojë edhe në reformën e re të pensioneve. “Në këtë raund reforme, mendojmë që politika e indeksimit do vijojë të jetë sipas asaj shportës së dedikuar të pensionistëve, pa diferencuar ndërmjet masave të ndryshme të pensioneve dhe këtë e kemi parasysh tek politika e dhënies së bonusit”, tha Manjani. Ndryshimi i pritshëm lidhet me kohën e aplikimit të indeksimit. Në vend që procesi të vijojë të bëhet zakonisht në muajin tetor, nga viti i ardhshëm pritet që indeksimi të realizohet që në muajin prill.
Ndërkohë, një tjetër instrument që qeveria ka përdorur për rritjen e të ardhurave të pensionistëve janë bonuset mujore. Nga 1 janari 2027, sipas Manjanit, bonuset mujore të këtij viti do të dyfishohen. Pensionet urbane të plota deri në 40 mijë lekë do të përfitojnë 3,600 lekë në muaj, ndërsa pensionet urbane të pjesshme deri në 22 mijë lekë do të marrin 1,600 lekë. Për pensionet rurale deri në 18 mijë lekë, bonusi do të jetë 2,000 lekë në muaj. Ndërkohë, pensionet familjare do të përfitojnë 1,400 lekë dhe pensionet e invaliditetit 1,200 lekë. Megjithatë, kufijtë për përfitimin e bonusit nuk do të ndryshojnë. Sipas Manjanit, pensionet që kalojnë tavanet e përcaktuara nuk do të përfitojnë bonusin përkatës






Comments