top of page

4 korsi drejt kufirit me Greqinë, nis procedura për autostradën Gjirokastër–Kakavijë

6 days ago
1 min read

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e zgjerimit të aksit Gjirokastër–Kakavijë, një segment me gjatësi rreth 24 kilometra që përbën pjesën jugore të Korridorit Adriatiko-Jonian. Fondi limit për këtë procedurë është gati 100 milionë lekë.


Sipas dokumenteve të tenderit, synimi është që rruga ekzistuese të transformohet në një autostradë të kategorisë A, me dy korsi lëvizjeje në secilin drejtim dhe korsi emergjence. Projekti parashikon gjithashtu studimin e nyjeve rrugore në disnivel dhe të urave, ndërsa zgjidhjet përfundimtare do të përcaktohen gjatë fazës së projektimit.


Aksi nis pranë Derviçanit, aty ku përfundon bypass-i i Gjirokastrës, dhe shtrihet deri në pikën kufitare të Kakavijës. Përmirësimi i tij synon të lehtësojë lëvizjen e udhëtarëve dhe transportin e mallrave drejt Greqisë, si dhe të reduktojë kohën dhe kostot e udhëtimit.


Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet të analizojë alternativat e gjurmës, kushtet teknike të ndërtimit dhe ndikimet mjedisore e sociale, përpara se të hartojë projektin për realizimin e investimit.


Megjithatë, procedura e hapur nga ARRSH mbulon vetëm studimin dhe projektimin e rrugës. Financimi dhe tenderimi i punimeve të ndërtimit do të jenë faza të mëvonshme, ndaj hapja e këtij tenderi nuk nënkupton nisjen e menjëhershme të punimeve.


Segmenti Gjirokastër–Kakavijë është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i njohur edhe si Korridori Blu, që synon të lidhë vendet përgjatë bregdetit Adriatik dhe Jon me rrjetet rrugore rajonale dhe europiane. Në territorin shqiptar, korridori shtrihet për rreth 315 kilometra, nga Kakavija në jug deri në Muriqan, në kufirin me Malin e Zi.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page