187 mijë lekë në muaj! Profesioni që kryeson listën e pagave në Shqipëri

Paga mesatare në Shqipëri ka arritur në 92.150 lekë bruto në muaj gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke u rritur me 9.8% krahasuar me një vit më parë. Por disa profesione dhe sektorë qëndrojnë shumë mbi mesataren kombëtare. Në krye të listës së pagave janë punonjësit e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, ku paga mesatare mujore bruto arrin në 187.267 lekë.
Kjo është më shumë se dyfishi i pagës mesatare kombëtare prej 92.150 lekësh dhe e vendos sektorin financiar në pozicionin e parë sa i përket nivelit të pagave. Pas tij renditet sektori i informacionit dhe komunikacionit, me një pagë mesatare prej 143.528 lekësh në muaj.
Edhe pse financat kryesojnë për nivelin e pagave, sektor tjetër ka regjistruar rritjen më të fortë gjatë një viti. Bëhet fjalë për ndërtimin, ku paga mesatare është rritur me 22.1%, duke shënuar ritmin më të lartë të rritjes ndër aktivitetet ekonomike.
Në anën tjetër, rritja më e ulët është regjistruar në aktivitetet e arteve, argëtimit dhe çlodhjes, si dhe aktiviteteve të tjera të shërbimit, me 6.4%. Këto të dhëna tregojnë se rritja e pagave nuk ka qenë e njëjtë në të gjithë ekonominë, me disa sektorë që kanë përjetuar një rritje shumë më të shpejtë se të tjerët.
Kur të dhënat ndahen sipas profesioneve, në krye renditen menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, me një pagë mesatare prej 141.168 lekësh bruto në muaj. Pas tyre vijnë specialistët me arsim të lartë, të cilët kanë një pagë mesatare prej 119.152 lekësh.
Por rritjet më të mëdha nuk janë regjistruar vetëm në nivelet drejtuese. Pagat e zejtarëve, artizanëve dhe profesioneve të lidhura me to janë rritur me 16%, ndërsa për punëtorët e profesioneve elementare rritja ka qenë 15.1%.
Pavarësisht rritjes së pagës mesatare, statistikat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve vijon të jetë në nivelin minimal të pagës. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, 25.8% e të punësuarve me pagë rezultojnë në kategorinë e pagës minimale.Ndërkohë, grupi i atyre që marrin mbi 120 mijë lekë në muaj është zgjeruar më tej, duke arritur në 17.1% të të punësuarve.






Comments