Çmimi i naftës në qiell! A po vjen një tjetër shtrenjtim në pompa?

Çmimi i naftës së papërpunuar ka vijuar të rritet ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, duke kaluar mbi 107 dollarë për fuçi për referencën Brent, ndërsa nafta amerikane WTI është tregtuar mbi 102 dollarë për fuçi. Rritja e fortë e çmimeve vjen në një moment kur tregjet globale janë përfshirë nga shqetësimet për furnizimin me naftë, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rrezikut për ndërprerje të transportit të hidrokarbureve.
Brent, që shërben si një nga treguesit kryesorë për çmimin e naftës në tregjet europiane, është rritur me rreth 3%, duke u luhatur pranë nivelit 107-108 dollarë për fuçi. Ndërkohë, WTI është rritur me rreth 3%, duke kaluar nivelin e 102 dollarëve. Shqetësimet janë shtuar edhe nga dëmtimet ndaj infrastrukturës energjetike në Arabinë Saudite. Ndërprerjet në infrastrukturën e transportit të naftës kanë rritur frikën se tregu mund të përballet me një deficit furnizimi nëse situata vazhdon të përshkallëzohet. Nafta ka kaluar tashmë nivelin psikologjik të 100 dollarëve për fuçi, pasi gjatë javës së kaluar çmimet u rritën me më shumë se 8%.
Tregjet po vlerësojnë tashmë mundësinë e një periudhe më të gjatë me çmime të larta, nëse tensionet nuk qetësohen. Në skenarë më pesimistë, çmimi mund të shkojë drejt 120 dollarëve për fuçi, veçanërisht nëse problemet prekin një pjesë më të madhe të prodhimit ose transportit të naftës. Nga ana tjetër, një ulje e tensioneve në rajon dhe rikthimi i rrjedhës normale të furnizimeve do të mund të frenonte rritjen dhe të ushtronte presion për uljen e çmimeve. Rritja e naftës në tregjet globale është një sinjal shqetësues edhe për ekonomitë importuese, përfshirë vendet europiane. Një naftë Brent mbi 100 dollarë për fuçi mund të rrisë kostot e transportit, prodhimit dhe energjisë dhe të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi inflacionin.
Për Shqipërinë, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare janë të rëndësishme pasi vendi mbështetet në importet e karburanteve. Për shkak të kësaj varësie, në fundjavë nafta kërceu në 229 lekë/litër.






Comments