Çmimet e ushqimeve drejt rënies? Elvin Meka tregon çfarë pritet pas “Pasqyrë Albania”

Çmimet e produkteve ushqimore vijojnë të jenë një nga çështjet më të ndjeshme për familjet shqiptare, ndërsa debati për mënyrën se si formohet çmimi final po zhvendoset përtej pikave të shitjes. Profesori i ekonomisë, Elvin Meka, e sheh nismën “Pasqyrë Albania” si një hap pozitiv për rritjen e transparencës, por argumenton se publikimi dhe monitorimi i çmimeve nuk mund të jenë zgjidhja e vetme. Sipas tij, duhet parë me kujdes gjithë zinxhiri që nis nga importi dhe kalon përmes tregtisë me shumicë, deri te produkti që përfundon në duart e konsumatorit.
“Çmimet mesatare të produkteve në Shqipëri figurojnë praktikisht mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo tregon që ka një problematikë dhe situata nuk është kaq e thjeshtë, ka nevojë të identifikohen aspektet, faktorët ose fenomenet që sjellin këtë situatë të pazakontë”, shprehet Meka. “Pasqyrë Albania” synon t'i japë konsumatorit informacion më të drejtpërdrejtë mbi çmimet e produkteve kryesore ushqimore. Meka e konsideron këtë një zhvillim të dobishëm, sidomos duke pasur parasysh peshën që zënë ushqimet në buxhetin familjar. “Është për t’u përshëndetur konsiderimi nga ana e qeverisë i një nisme të tillë. Më mirë vonë se kurrë”, deklaron ai. Megjithatë, eksperti thekson se transparenca funksionon më mirë kur shoqërohet me një treg ku konkurrenca është reale dhe institucionet janë në gjendje të kontrollojnë efektivisht abuzimet. Sipas Mekës, analiza e çmimeve nuk duhet të nisë dhe të përfundojë te dyqani ku qytetari blen produktin. Veçanërisht për mallrat e importuara, sipas tij, duhet ndjekur e gjithë rruga që përshkon produkti: nga importuesi dhe dogana, te tregtari me shumicë dhe më pas te shitësi me pakicë.
“Realiteti shqiptar, më tepër se sa informim dhe transparencë, ka nevojë për disa ndërhyrje energjike, sidomos në hallkat e tregtisë me shumicë”, thotë profesori i ekonomisë. Ai shkon edhe më tej në vlerësimin e tij për këtë hallkë të tregut. “Abuzivizmi duket të jetë kryesisht te pjesa e tregtisë me shumicë”, deklaron Meka. Për ekspertin, një nga mënyrat për të rritur konkurrencën është zgjerimi i mundësive për operatorët që duan të hyjnë në tregun e shumicës. Sipas tij, një numër më i madh tregtarësh që mund të aksesojnë këtë treg do të krijonte presion konkurrues dhe mund të ndikonte edhe në çmimin që paguan konsumatori.
“Më shumë tregtarë që e aksesojnë tregun e shumicës dhe, në mënyrë natyrale, konkurrenca do të ishte aspekti më i mirë, më i dëshirueshëm për të konsideruar efektin në çmimet finale”, shprehet Meka.
Në këtë proces, ai kërkon që shteti të ndërhyjë me kujdes, duke vendosur rregulla të qarta pa dëmtuar aktivitetin normal të bizneseve. “Është shumë e rëndësishme të zbatohen rregulla të pastra dhe të drejta loje”, thekson ai. Një tjetër element që mund të shqyrtohet është niveli i TVSH-së për produktet bazë. Por Meka paralajmëron se një ulje e taksës nuk garanton vetvetiu një ulje të çmimit në raft.
Sipas tij, nevojiten mekanizma që sigurojnë se përfitimi nga një masë fiskale nuk përthithet nga hallkat e ndryshme të zinxhirit tregtar, por i shkon realisht konsumatorit. Kjo do të thotë se çdo ndërhyrje fiskale duhet të shoqërohet me monitorim dhe kontroll të efektit të saj në treg. Meka nuk pret që vetëm publikimi i çmimeve të sjellë një ndryshim të menjëhershëm në koston e produkteve. Megjithatë, sipas tij, transparenca mund të krijojë një presion të ri mbi tregtarët, duke i bërë ata të vetëdijshëm se çmimet po monitorohen më nga afër. Për këtë arsye, ai e konsideron nismën një pikënisje, e cila mund të pasohet nga masa të tjera nëse rezultatet e monitorimit tregojnë se problematika vijon.
“Qeveria shqiptare po provon aspektin më të lehtë dhe me më pak ndikim në lojën e tregut, duke treguar kujdes. Ai pastaj mund të shërbejë si një bazament i mirë që qeveria të konsiderojë masa të tjera”, shprehet eksperti. Në qendër të argumentit të Mekës është nevoja për të bërë dallimin mes biznesit që operon në treg dhe praktikave abuzive. “Roli i qeverisë nuk është dhe nuk duhet të jetë goditja e sipërmarrjes, por të godasë abuzivizmin e sipërmarrjes. Këtu duhet të jemi kategorikisht të ndarë dhe të qartë”, deklaron ai. Sipas tij, një treg funksional kërkon rregulla të barabarta dhe konkurrencë reale. “Abuzivizmi nuk duhet të lejohet në mënyrë kategorike nga asnjë sipërmarrje”, thekson Meka.
Nëse konkurrenca dobësohet, sipas ekspertit, tregu rrezikon të dominohet nga pak operatorë, me pasoja të drejtpërdrejta për konsumatorët. Meka argumenton se qeveria duhet ta çojë procesin përtej fazës së informimit dhe të ndërhyjë kur identifikohen praktika që dëmtojnë konkurrencën. “Qeveria duhet të ketë vullnetin dhe seriozitetin që t’i shkojë deri në fund këtij elementi, nga transparenca dhe informimi i publikut deri te kufizimi masiv dhe thelbësor i abuzivizmit në treg, duke nxitur dhe garantuar konkurrencën e lirë në treg”, shprehet ai.
Në përfundim, Meka e lidh drejtpërdrejt konkurrencën me koston e jetesës dhe çmimet e produkteve bazë. “Jemi në ekonomi tregu, jemi në kapitalizëm. Nëse heqim elementin e konkurrencës, është shumë e thjeshtë rrëshqitja në pozita monopol apo oligopol, të cilat kanë efekte të padëshirueshme në koston e jetesës së qytetarëve dhe kryesisht në çmimin e produkteve ushqimore”, përfundon eksperti.






Comments