top of page

Çfarë do të ndodhë me transportin urban? Zbardhet përgjigjja e Ministrisë së Financave

Aug 25
2 min read

Rritja e çmimit të karburantit po shton presionin mbi operatorët e transportit publik në Shqipëri, ndërsa kërkesa për vazhdimin e mbështetjes financiare nga shteti ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare. Ministria e Financave ka bërë të ditur se është e gatshme të shqyrtojë një zgjatje të skemës, por pret që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të paraqesë propozimin konkret.


Shoqatat e transportit publik kanë kërkuar që kompensimi për naftën të vijojë edhe për një periudhë tjetër tremujore, pasi sipas tyre kostot e operimit janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar. Shqetësimi është përsëritur disa herë gjatë muajve të fundit, me operatorët që paralajmërojnë se, nëse mbështetja nuk zgjatet, mund të detyrohen të kufizojnë numrin e mjeteve në qarkullim.


Më 6 gusht, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i kërkoi institucioneve që masa e kompensimit të vijonte edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht. Kërkesa iu përcoll Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nga Ministria e Financave, e cila deklaroi se do të shqyrtojë çdo propozim që do të paraqitet për këtë çështje.


Ky qëndrim nuk është i ri. Edhe në një komunikim të datës 21 maj, Financat i kishin kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës të vlerësonte kërkesën brenda përgjegjësive të saj institucionale, duke lënë të hapur mundësinë e shqyrtimit të një propozimi për vazhdimin e skemës.


Në komunikimin më të fundit ndërinstitucional, të datës 20 gusht, qëndrimi është përsëritur. Ministria e Financave vijon të shprehet e gatshme për të analizuar një propozim të ri, çka e vendos tashmë barrën e nismës te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.



Skema aktuale u miratua në maj dhe parashikoi një kompensim prej 50 lekësh për litër karburant për operatorët e transportit publik. Masa u vendos në kushtet e rritjes së fortë të çmimeve të hidrokarbureve dhe synonte të lehtësonte kostot shtesë të kompanive që operojnë linjat urbane, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse.


Kompensimi u llogarit mbi konsumin e karburantit gjatë muajve mars, prill dhe maj të vitit 2026. Në kushtet kur çmimi i naftës vijon të rëndojë kostot e aktivitetit, shoqatat kërkojnë që mbështetja të mos mbetet një masë e përkohshme.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page