Ulen çmimet në Greqi, mijëra produkte më lirë. Për herë të parë përfshihet edhe mishi

Një nismë e re për uljen e çmimeve të produkteve bazë ka nisur në Greqi, me 1.740 produkte që do të shiten me çmime mesatarisht 9,5% më të ulëta.
Nisma Kombëtare për Uljen e Çmimeve u prezantua të hënën nga ministri grek i Zhvillimit, Takis Theodorikakos, dhe presidentja e Autoritetit të Pavarur për Kontrollin e Tregut dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Despina Tsangari.
Në program marrin pjesë mbi 100 furnitorë, 12 zinxhirë supermarketesh dhe 3 zinxhirë dyqanesh për lodra dhe artikuj shkollorë.
Produktet që përfshihen në nismë do të identifikohen nëpër dyqane përmes shenjimeve të veçanta, ndërsa konsumatorët do të mund t'i kontrollojnë edhe në mënyrë dixhitale përmes platformës “PosoKanei”.
Një nga elementët më të rëndësishëm të nismës është përfshirja, për herë të parë, e produkteve të mishit. Nga 1.740 produktet e përfshira:
* 875 produkte të markave të njohura do të kenë ulje mesatare deri në 9%, duke përfshirë edhe kontributin e supermarketeve;
* 360 produkte private label do të kenë ulje mesatare prej 8%
* 100 produkte mishi do të kenë ulje mesatare prej 7,5%;
* 405 artikuj shkollorë do të kenë ulje mesatare prej 12%.
Sipas autoriteteve greke, ulja fillestare për produktet e markave të njohura është rreth 6,6%, por ajo arrin mesatarisht në 9% kur llogariten edhe uljet shtesë që ofrojnë vetë zinxhirët e supermarketeve. Nisma pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.
Nga 1 nëntori pritet të ketë ndryshime në listën e produkteve: disa prej kodeve aktuale do të vazhdojnë të jenë pjesë e programit, ndërsa të tjera do të zëvendësohen me produkte të reja.
Autoritetet greke bëjnë të ditur gjithashtu se lista nuk është përfundimtare dhe se produkte të tjera mund të shtohen edhe në ditët në vijim.
Fillimisht ishte njoftuar se disa nga uljet do të zgjasnin deri më 30 tetor, por një pjesë e kompanive kanë deklaruar se do t'i vazhdojnë ato deri në fund të vitit.
Sipas të dhënave të publikuara nga ERTnews, në disa raste vetë supermarketet kanë vendosur të ulin më tej çmimet, edhe kur furnitorët nuk kishin ofruar zbritje për produkte të caktuara.
Në një prej zinxhirëve të mëdhenj, uljet shtesë kanë arritur deri në 5,5% për produkte bazë, përfshirë ushqime, detergjentë dhe produkte pastrimi.
Kjo do të thotë se në disa raste konsumatori mund të përfitojë një ulje më të madhe se ajo e përcaktuar fillimisht nga furnitori.
Ministri i Zhvillimit, Takis Theodorikakos, e cilësoi nismën si një masë konkrete për të ndihmuar familjet që përballen me koston e lartë të jetesës.






Comments