Strehimi, ndryshon kufiri i të ardhurave/ Ja sa duhet të fitojë një çift për të përfituar kredi të butë

Rritja e fortë e çmimeve të banesave në Shqipëri po e bën gjithnjë e më të vështirë blerjen e një shtëpie, veçanërisht për çiftet dhe familjet me të ardhura të mesme. Për këtë arsye, qeveria ka ndryshuar kriteret e të ardhurave për përfituesit e skemave të strehimit social, duke zgjeruar grupin e familjeve që mund të aplikojnë për kredi me zero interes ose me interes 3%. Dardana Grabovaj, drejtore e strehimit thotë se kufiri i të ardhurave është rritur ndjeshëm, duke marrë në konsideratë ndryshimin e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.
“Sot një familje e pastrehë që kërkon të blejë një shtëpi duhet të plotësojë kriterin e të ardhurave, që është minimalisht 90 mijë lekë në muaj. Duke parë ecurinë e çmimeve, ne e kemi rritur këtë kufi në 275 mijë lekë në muaj për dy persona, neto. Në këtë mënyrë i japim mundësi çdo shtrese të aplikojë në skemën ku e gjen veten”, u shpreh Grabovaj.
Përveç mbështetjes përmes kredive të buta, qeveria po synon të ndërhyjë edhe në anën e ofertës, përmes ndërtimit të banesave me kosto të ulët. Në dy zona të Tiranës po planifikohet ndërtimi i banesave sociale për familjet që kanë të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar një kredi. Sipas Grabovajt, nga fondi i krijuar prej tatimit 3% që paguajnë ndërtuesit janë arkëtuar rreth 8 milionë euro, të cilat do të përdoren për ndërtimin e 500 banesave sociale me kosto të ulët.
“Ne nuk po fokusohemi vetëm tek kërkesa. Po shohim edhe anën e ofertës, për të krijuar një ekuilibër më të mirë në treg dhe për të shmangur rritjen e mëtejshme të çmimeve”, tha Grabovaj.
Sipas të dhënave të qeverisë, gjatë viteve të fundit rreth 30 mijë familje të pastreha janë mbështetur përmes programeve të strehimit, banesave sociale dhe skemave të kredive të buta.






Comments