top of page

Strehimi me kredi 0%/ A ka shtëpi 60 mijë euro në Tiranë?

Oct 5
2 min read

Programi i ri i qeverisë për strehimin social ka hapur debat mbi vlerën e banesave që mund të blihen përmes kredisë me zero interes. Një nga pikëpyetjet kryesore është nëse në Tiranë gjenden realisht apartamente me vlerë rreth 60 mijë euro, që të jenë të përballueshme për çiftet e reja. Për shumë qytetarë, kjo shumë duket larg

realitetit të tregut, veçanërisht në zonat brenda Unazës, ku çmimet e apartamenteve kanë shënuar rritje të fortë vitet e fundit. Por ndërtuesit thonë se banesa të tilla mund të gjenden, kryesisht në periferi të kryeqytetit.

“Ka banesa apo studio me vlerë 60 mijë euro në Tiranë. Sigurisht, nuk janë brenda Unazës, por janë në periferi. Mund të jenë një numër i kufizuar, por mendoj se si një hap i parë për t’u ofruar çifteve të reja strehim, është një masë që vlen. Të paktën një sipërfaqe e vogël të shërbejë për të pasur një çati për çiftet e reja”, shprehet Erjon Harizi nga Shoqata e Ndërtuesve

Sipas tij, programi është pozitiv edhe për shkak të zgjerimit të fashës së përfituesve. Skema nuk synon vetëm familjet që nuk kanë fare strehim, por edhe ato që duan të blejnë apartamentin e tyre të parë, përfshirë banesa 1+1 apo 2+1. Një tjetër element që vlerësohet pozitivisht nga ndërtuesit është rritja e kufirit maksimal të vlerës së pronës që mund të blihet përmes skemës, deri në 200 mijë euro.

“Është pozitive që kufiri maksimal i vlerës së shtëpisë që mund të marrë një çift ka arritur në 200 mijë euro. Deri në këtë limit ka prona që janë në treg, jo vetëm nga ndërtuesit, por edhe nga individë të tjerë që synojnë të shesin pronën e tyre”, thotë Harizi.

Ndërtuesit shprehen gjithashtu të gatshëm të përshtatin ofertën me kërkesën e krijuar nga skema e re, duke ndërtuar apartamente me sipërfaqe më të vogla dhe, për rrjedhojë, me çmime më të përballueshme.

“Ne si ndërtues jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë më shumë godina me sipërfaqe më të vogla, në mënyrë që të jenë të përballueshme për shumë çifte, individë apo familje”, u shpreh Harizi.

Ndërkohë, sfida mbetet çmimi i lartë i pasurive të paluajtshme në kryeqytet. Rritja e vazhdueshme e çmimeve ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e familjeve ta kenë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një apartamenti, edhe kur përfitojnë financim me kushte të favorshme. Në këtë situatë, debati nuk lidhet vetëm me ekzistencën e banesave 60 mijë euro, por edhe me sipërfaqen, vendndodhjen dhe cilësinë e pronave që mund të blihen me këtë shumë.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page