Shtëpi me 60 mijë euro, Ibrahimaj mbledh Shoqatën e Ndërtuesve: Ka në periferi

Qeveria po përgatit një paketë të re për strehimin, e cila synon të zgjerojë mbështetjen përtej familjeve në nevojë dhe të përfshijë edhe të rinjtë, çiftet e reja, profesionistët dhe familjet që e kanë të vështirë të përballojnë kostot e blerjes ose të qirasë së një banese. Detajet e skemës janë diskutuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në takimin me Shoqatën e Ndërtuesve dhe aktorë të tregut të pasurive të paluajtshme.
“Ne kemi bërë që prej një viti analiza të nevojës së tregut shqiptar. Ky program adreson nevojën që të rinjtë dhe të rejat shqiptare sot kanë për të filluar jetën e tyre”, deklaroi Ibrahimaj.
Një nga pjesët kryesore të reformës është krijimi i produkteve të reja të strehimit, përmes të cilave blerja e një apartamenti do të mbështetet me kredi bankare dhe subvencionim të interesit nga shteti. Për apartamentet me vlerë deri në 60 mijë euro, parashikohet kredi me 0% interes. Për banesat me vlerë mbi 60 mijë euro, skema parashikon kredi ku përfituesi do të paguajë interes deri në 3%, ndërsa pjesa mbi këtë nivel do të subvencionohet nga shteti.
Në deklaratat e saj, ministrja ka sqaruar se për kategorinë e apartamenteve deri në 60 mijë euro janë analizuar edhe mundësitë reale që ofron tregu. “Ka, në periferi të Tiranës, apartamente që janë me këto vlera. Janë apartamente me sipërfaqe të vogla. Nuk janë apartamente që u dedikohen familjeve të mëdha”, tha Ibrahimaj.
Kjo pjesë e skemës synon kryesisht profesionistët e rinj dhe çiftet që janë në fillim të jetës së tyre familjare. Ministrja ka theksuar se qëllimi është që këta persona të kenë mundësi të blejnë një banesë pranë vendit të punës dhe shërbimeve, në vend që të përballen me kosto të larta qiraje ose kredie.
“Ky program do t’i dedikohet atyre profesionistëve të cilët sapo kanë përfunduar studimet dhe duan të jetojnë pranë vendit të tyre të punës apo pranë shërbimeve dhe duan të nisin jetën duke pasur në pronësi një apartament”, u shpreh ministrja.
Për familjet që kanë nevojë për banesa më të mëdha, qeveria ka parashikuar një tjetër kategori kredie. Në paketën e prezantuar janë parashikuar 4 mijë kredi të buta, nga të cilat 2 mijë me interes zero për banesa deri në 60 mijë euro dhe 2 mijë të tjera për banesa me vlerë më të lartë, me normë interesi të subvencionuar deri në nivelin e përcaktuar nga skema. Në deklarimet e ministres është përmendur gjithashtu një paketë prej 3 mijë apartamentesh me kredi të butë dhe interes fiks 3% për familjet e reja me një ose më shumë fëmijë. “Do të jenë 7,000 apartamente të cilat do të vihen në dispozicion në bazë të paketës së re ligjore që ne jemi duke përmbyllur, ku konkretisht do të jenë 4,000 kredi të buta, ku 2,000 do të jenë kredi me zero interes për apartamente të cilat janë deri në 60,000 euro, ku do t’u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja”, deklaroi Ibrahimaj.
Një tjetër element i reformës është subvencionimi i qirasë. Sipas planit të prezantuar, qeveria synon të mbështesë rreth 3 mijë apartamente me subvencionim qiraje, me mbulim të një pjese të kostos së qirasë.
Në materialin e prezantuar nga ministrja është parashikuar që për banesat me qira deri në 500 euro, shteti të mbulojë gjysmën e kostos. Kjo skemë synon kryesisht profesionistët dhe familjet e reja që nuk janë ende në kushtet për të blerë një banesë.
Reforma nuk kufizohet vetëm te kreditë dhe qiratë. Një pjesë tjetër e planit lidhet me mënyrën se si do të ndërtohen banesat e reja. Sipas modelit të propozuar, në projekte të caktuara do të synohet një përzierje e kategorive të banimit, në mënyrë që në të njëjtën zonë të ketë banesa sociale, banesa me çmime të përballueshme dhe banesa që shiten në tregun e lirë. Modeli i propozuar parashikon 30% të banesave për shtresat në nevojë, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% për shitje në tregun e lirë.






Comments