Shqipëria prodhon gjimnazistë, fqinjët prodhojnë profesionistë!

Nga Mateo Spaho
Vetëm 1 në 5 nxënës shqiptarë zgjedh arsimin profesional. Në Serbi dhe Mal të Zi, ndodh e kunderta. Diferenca nuk është thjesht një statistikë: ajo tregon se e palidhur është Shqipëria nga një sistem arsimor qe i pergjigjet nevojave te ekonomisë.
Në një kohë kur bizneset shqiptare ankohen vazhdimisht për mungesën e punonjësve të kualifikuar, shkollat e mesme shqiptare vazhdojnë të mbushen kryesisht me nxënës që ndjekin gjimnazin. Shifrat zyrtare për vitin shkollor 2024/25 janë të qarta: nga 89,190 nxënës në arsimin e mesëm të lartë, vetëm 16,987, ose rreth 19%, ishin regjistruar në arsimin profesional. Rreth 81% ndiqnin gjimnazin dhe arsimin social-kulturor. Në Serbi panorama është pothuajse e përmbysur. Rreth 72% e nxënësve ndjekin arsimin profesional. Në Mal të Zi, sipas MONSTAT, 18,853 nga 26,715 nxënës të arsimit të mesëm, ose 70.6%, ishin në arsimin profesional në vitin 2024/25.
Diferenca është aq e madhe sa ngre një pyetje të thjeshtë, por të pakëndshme: pse një vend që ankohet për mungesën e profesionistëve po orienton shumicën dërrmuese të të rinjve drejt arsimit të përgjithshëm?
Nga elektricisti te hoteleria: çfarë zgjedhin të rinjtë në rajon? Shifrat nga Serbia tregojnë se arsimi profesional nuk është një kategori homogjene. Në të përfshihen profile që lidhen drejtpërdrejt me industrinë dhe teknologjinë, por edhe me shërbimet. Ndër fushat më të mëdha janë elektroteknika, ekonomia, juridiku dhe administrata, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, makineria dhe përpunimi i metaleve, si dhe tregtia, hoteleria dhe turizmi. Në të dhënat e fundit të publikuara për përfunduesit e arsimit të mesëm, këto fusha zënë një pjesë të konsiderueshme të profileve profesionale. Por Serbia ofron edhe një mësim tjetër: arsimi profesional përshtatet me ekonominë e rajonit.
Në Vojvodinë, për shembull, elektroteknika ka peshë të madhe, ndërsa bujqësia, përpunimi ushqimor dhe transporti janë më të pranishme. Në Šumadija dhe Serbinë Perëndimore spikasin ekonomia, administrata dhe makineria. Në Serbinë Jugore dhe Lindore, krahas elektroteknikës dhe ekonomisë, kanë peshë shëndetësia, transporti dhe makineria. Pra, nuk bëhet fjalë thjesht për të pasur “më shumë shkolla profesionale”. Bëhet fjalë për të prodhuar profile që lidhen me ekonominë e territorit. Mali i Zi ka një strukturë tjetër. Ekonomia e tij e orientuar fort drejt turizmit dhe shërbimeve reflektohet edhe në shkolla. Nga 18,853 nxënësit profesionalë, 22.1%, ndjekin tregtinë, hotelerinë dhe turizmin. Më pas vijnë ekonomia, juridiku dhe punet administrive me 19.2%, shëndetësia me 15.9% dhe elektroteknika me 12.8%. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e nxënësve profesionalë malazezë përqendrohen në vetëm tre fusha: shërbime/turizëm, ekonomi-administratë dhe shëndetësi.
Shqipëria përballet me një paradoks. Nga njëra anë, kompanitë në ndërtim, turizëm, industri, teknologji, mirëmbajtje dhe shërbime raportojnë vështirësi për të gjetur punonjës me aftësitë e kërkuara. Nga ana tjetër, arsimi profesional mbetet një zgjedhje relativisht e vogël. Në vitin 2024/25, vetëm 19% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ishin në profesional. Shifrat nuk tregojnë se një sistem është automatikisht më i mirë se tjetri.
Një përqindje e lartë regjistrimesh nuk garanton shkolla cilësore, laboratorë modernë, mësues të përgatitur apo punësim pas diplomimit. Por diferenca prej më shumë se 50 pikë përqindjeje është shumë e madhe për t'u shpërfillur.
Për vite me radhë, arsimi profesional në Shqipëri është parë nga shumë familje si zgjedhje “e dytë”për nxënësit që nuk do të ndjekin gjimnazin ose universitetin, por kjo logjikë përplaset me realitetin e tregut të punës.
Një ekonomi nuk funksionon vetëm me juristë, ekonomistë, administratorë dhe profesionistë universitarë. Ajo ka nevojë për elektricistë, mekanikë, teknikë mirëmbajtjeje, saldatorë, teknikë IT, specialistë hotelerie, kuzhinierë, teknikë të energjisë, ndërtues dhe profesionistë të shëndetësisë. Nëse këto profesione kanë kërkesë, por shkolla nuk arrin t'i bëjë tërheqëse për të rinjtë, atëherë hendeku mes arsimit dhe ekonomisë bëhet i pashmangshëm. Dhe këtu qëndron pyetja që Shqipëria duhet t'i bëjë vetes: a po u ofrojmë të rinjve një arsim që i përshtatet ekonomisë së vendit, apo po vazhdojmë t'i drejtojmë drejt një modeli arsimor që nuk përputhet me nevojat e tregut të punës?
Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë zgjidhur domosdoshmërisht të gjitha problemet e arsimit profesional. Por shifrat tregojnë se ata kanë bërë një zgjedhje strukturore: arsimi profesional nuk është periferi e sistemit, por një nga rrugët kryesore të arsimit të mesëm. Dhe ndërsa debati për arsimin vazhdon të përqendrohet te universitetet, maturantët dhe diplomat, tregu i punës po dërgon një mesazh tjetër: ekonomia ka nevojë për njerëz që dinë të bëjnë një punë konkrete.






Comments