SHKRESA/ Zbardhet përgjigjja e Malajt për pagat e magjistratëve

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar për pagat e magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke mohuar që Thesari apo Ministria e Financave t’i kenë bllokuar pagesat. Sipas Malajt, problemi lidhet me mënyrën e hartimit të listëpagesave të muajit gusht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, ministri kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve nuk mund të aplikohen ende përmes ekzekutimit buxhetor, pasi ndryshimet ligjore përkatëse nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Në qendër të debatit është edhe vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese. Malaj thekson se vendimi është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndërhyrjet ligjore që janë në kompetencë të Kuvendit.
“Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhëra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”, deklaron Malaj.









Comments