top of page

Sejko takohet me FMN dhe Bankën Botërore, mesazhet që u përcollën

Sep 29
2 min read

Sistemi financiar shqiptar ka shënuar përmirësime të rëndësishme krahasuar me vlerësimin e mëparshëm, ndërsa institucionet ndërkombëtare kanë evidentuar forcimin e institucioneve financiare, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjetjet u diskutuan gjatë takimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me përfaqësuesit e misionit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të përmbylljes së Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) për Shqipërinë.


Procesi i vlerësimit ishte kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe u koordinua brenda vendit nga Banka e Shqipërisë. Në takim morën pjesë edhe drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Ministrisë së Financave. FSAP synon të analizojë aftësinë e sektorit financiar për t’u përballur me rreziqe dhe goditje të mundshme, efektivitetin e mbikëqyrjes dhe kuadrit rregullator, si dhe kapacitetet e institucioneve për parandalimin dhe menaxhimin e krizave financiare.


Në kuadër të vlerësimit janë analizuar edhe zhvillimi i tregjeve të kapitalit, mbrojtja kibernetike e sistemit financiar, financimi në kushtet e digjitalizimit, mbështetja për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe mekanizmat për vlerësimin dhe administrimin e rrezikut sistemik. Sipas përfaqësuesve të FSAP-it, që nga vlerësimi i mëparshëm i zhvilluar në vitet 2013–2014, Shqipëria ka bërë progres në forcimin e sistemit financiar dhe kuadrit të tij rregullator. Vlerësimi evidenton se institucionet financiare janë më të shëndetshme, ndërsa sistemi është bërë më i larmishëm. Po ashtu, është zgjeruar ndërmjetësimi financiar, është modernizuar infrastruktura e pagesave dhe teknologjia është përdorur më gjerësisht në ofrimin e produkteve financiare.


Një tjetër element i evidentuar është përafrimi i konsiderueshëm i kuadrit ligjor dhe rregullator shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, çka, sipas vlerësimit, ka krijuar mundësi për një mbikëqyrje më të plotë nga autoritetet publike. Megjithatë, rekomandimet e FSAP-it synojnë të përgatisin sistemin financiar edhe për rreziqet e ardhshme. Fokusi do të jetë te ruajtja e qëndrueshmërisë, forcimi i administrimit të rreziqeve dhe rritja e kontributit të sektorit financiar në financimin e ekonomisë reale. Sipas Bankës së Shqipërisë, rekomandimet e misionit mund të integrohen edhe në ndryshimet ligjore dhe operacionale që po ndërmerren në kuadër të procesit të përafrimit me standardet dhe praktikat e BE-së. Guvernatori Gent Sejko shprehu angazhimin e autoriteteve shqiptare për të analizuar dokumentet e vlerësimit dhe për t’i përdorur rekomandimet e FSAP-it në forcimin e mëtejshëm të reformave të sistemit financiar në periudhën afatmesme.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page