Sejko qetëson qytetarët pas sulmeve ndaj bankave: Depozitat janë të sigurta

Depozitat e qytetarëve nuk rrezikohen nga dëmtimet e shkaktuara në disa degë bankare dhe bankomate gjatë incidenteve të fundit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, garanton se sistemi bankar vijon të funksionojë dhe se infrastruktura e dëmtuar nuk cenon qëndrueshmërinë financiare të bankave.
Në një takim të zhvilluar sot me drejtues të sistemit bankar, ku morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave Petrit Malaj dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, në fokus ishte situata e krijuar pas incidenteve ndaj Bankës së Shqipërisë, degëve bankare dhe bankomatëve, si dhe masat për garantimin e vijimësisë së shërbimeve financiare.
Sejko theksoi se siguria e qytetarëve dhe punonjësve, si dhe funksionimi normal i sistemit bankar, kanë qenë prioritet. Sipas tij, pavarësisht dëmeve materiale, të gjitha sistemet operacionale të Bankës së Shqipërisë kanë vijuar punën normalisht, përfshirë sistemin e pagesave dhe qarkullimin e parasë fizike.
Guvernatori nënvizoi se sistemi bankar është një shtyllë thelbësore e ekonomisë dhe një e mirë e përbashkët publike. Për këtë arsye, çdo ndërprerje e veprimtarisë së tij mund të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët dhe bizneset, duke sjellë pasoja edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Ndërkohë, kufizimet e përkohshme në disa degë bankare lidhen me nevojën për të garantuar sigurinë fizike të klientëve dhe punonjësve. Banka e Shqipërisë u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin kanalet alternative digjitale për kryerjen e shërbimeve bankare.
Në përfundim të takimit, drejtuesit e bankave dhe përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave diskutuan problematikat e hasura, masat e marra për përballimin e situatës dhe nevojën për koordinim të mëtejshëm institucional, me synim garantimin e sigurisë dhe funksionimit të pandërprerë të shërbimeve financiare.






Comments