Rritet mosha! Ja kur do të dalin në pension gratë

Mosha e daljes në pension për gratë pritet të rritet gradualisht, me synimin që burrat dhe gratë të arrijnë të dalin në pension në moshën 65 vjeç deri në vitin 2035. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, e cila ka shpjeguar se një prej pikave të reformës lidhet pikërisht me rishikimin e formulës aktuale të rritjes së moshës së pensionit.
Sipas Manjanit, në reformën e fundit të vitit 2014 ishte përcaktuar që rritja graduale e moshës së pensionit për burrat dhe gratë të vijonte deri në vitin 2056, kur moshat do të barazoheshin. Por tashmë qeveria po shqyrton mundësinë e përshpejtimit të këtij procesi. Aktualisht, burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç, ndërsa gratë në moshën 62 vjeç. Propozimi i ri parashikon që diferenca prej tre vitesh të ngushtohet gradualisht, në mënyrë që deri në vitin 2035 të dyja kategoritë të kenë të njëjtën moshë pensioni: 65 vjeç.
“Një nga ndryshimet që propozohet është ndryshimi gradual i moshës së pensionit”, deklaroi Manjani, duke sqaruar se formula e re po rishikohet edhe në funksion të angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Pas vitit 2035, sipas propozimit të paraqitur, rritja e moshës së pensionit do të vijojë në mënyrë graduale. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar një vit apo periudhë konkrete për përfundimin e kësaj faze. Sipas ministres, synimi i reformës është krijimi i një sistemi pensioni që të jetë njëkohësisht mbrojtës për pensionistët aktualë dhe financiarisht i përballueshëm për brezat e ardhshëm.
Në praktikë, ndryshimi më i drejtpërdrejtë do të prekë gratë, pasi mosha aktuale e pensionit është 62 vjeç, ndërsa objektivi i propozuar është 65 vjeç brenda vitit 2035. Për këtë arsye, periudha deri në vitin 2035 do të shoqërohet me një rritje më të përshpejtuar të moshës së pensionit për gratë krahasuar me skemën e përcaktuar në reformën e vitit 2014.
Megjithatë, detajet e plota të formulës së re, përfshirë mënyrën se si do të ndahet rritja vit pas viti, pritet të përcaktohen në vijim të diskutimeve për reformën. Ndërkohë, pas arritjes së moshës 65 vjeç për të dyja gjinitë në vitin 2035, qeveria parashikon që mosha e pensionit të vijojë të rritet gradualisht, por pa vendosur ende një afat.
"Synimi i kësaj reforme është të kemi një sistem që mbron më mirë pensionistin sot, por njëkohësisht të jetë i përballueshëm edhe për brezat e ardhshëm. Një nga ndryshimet që propozohet është ndryshimi gradual i moshës së pensionit. Në reformën e fundit të vitit 2014, u parashikua në ligj rritja graduale e moshës së pensionit, që do të barazoheshin në vitin 2056. Megjithatë, edhe për shkak të angazhimeve dhe detyrimeve që kemi ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit europian, po rishikojmë edhe një herë formulën e barazimit të moshës së pensionit, ku një nga propozimet është që mosha e burrave dhe grave të barazohet deri në vitin 2035 në 65 vjeç dhe më pas kjo rritje të bëhet graduale, në vijim, pa përcaktuar vitin apo periudhën konkrete. Aktualisht, burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe gratë në moshën 62 vjeç. Pra gjatë kësaj periudhe, ne do të duhet të përshpejtojmë dhe të reflektojmë në formulë rritjen graduale të moshës së grave", tha Olta Manjani.






Comments