top of page

Rritet besimi në ekonomi, ndërtimi "merr hov" në gusht. Çfarë parashikojnë ndërtuesit për çmimet?

Sep 1
2 min read

Besimi në ekonomi është përmirësuar gjatë muajit gusht, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë në kuadër të Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit.


Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit me 1.8 pikë në gusht, duke qëndruar në një nivel 7.4 pikë mbi mesataren e tij historike. Përmirësimi u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve, ndërsa një ndikim pozitiv, por më të vogël, dha edhe besimi i konsumatorëve. Nga ana tjetër, industria ishte sektori i vetëm që shënoi rënie të besimit gjatë muajit.


Ndërtimi shënon rritjen më të fortë


Treguesi i Besimit në Ndërtim u rrit me 4.7 pikë përqindje në gusht, duke qëndruar rreth 10.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Kjo rritje u përcaktua nga përmirësimi i vlerësimit të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues dhe kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet për çmimet në të ardhmen vijuan të bien, duke zbritur në 10.7 pikë përqindje nga 16.5 pikë në korrik.


Tregtia dhe shërbimet përmirësojnë treguesit


Edhe sektori i shërbimeve regjistroi një ecuri pozitive. Treguesi i Besimit në Shërbime u rrit me 1.8 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 7 pikë mbi mesataren historike. Rritja u mbështet nga vlerësimi më i lartë i bizneseve për kërkesën dhe aktivitetin aktual. Ndërkohë, pritjet për çmimet në të ardhmen ranë gjatë gushtit.

Në tregti, treguesi i besimit u rrit me 2.1 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 11 pikë përqindje mbi mesataren historike. Bizneset dhanë një vlerësim më optimist për ecurinë aktuale të shitjeve, ndërsa pritjet për punësimin u përmirësuan gjithashtu.


Industria në rënie


Ndryshe nga sektorët e tjerë, besimi në industri u ul me 1.2 pikë përqindje në gusht. Megjithatë, treguesi vijon të jetë 6.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia lidhet kryesisht me vlerësimin më të dobët të bizneseve për kontratat porositëse. Prodhimi aktual mbeti në të njëjtin nivel me muajin korrik, ndërsa pritjet për çmimet e produkteve në të ardhmen u rritën.


Edhe konsumatorët shfaqin më shumë optimizëm


Treguesi i Besimit Konsumator u rrit me 0.8 pikë përqindje në gusht dhe tashmë qëndron 2.2 pikë përqindje mbi mesataren historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, besimi konsumator ka rikuperuar plotësisht rënien e shënuar gjatë dy tremujorëve të parë të vitit. Përmirësimi u ndikua kryesisht nga vlerësimet më pozitive për blerjet e mëdha aktuale dhe ato të pritshme. Ndërkohë, pritjet për gjendjen financiare personale dhe situatën ekonomike në të ardhmen nuk patën ndryshime të rëndësishme krahasuar me korrikun.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se pritjet e konsumatorëve për blerjet e mëdha janë përmirësuar, ndërsa treguesi për kursimin e ardhshëm është ngjitur në -37.7 pikë, nga -38.6 pikë në korrik.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page