Pensionet, ndryshimi i moshës nuk mjafton/ Gjokutaj propozon një model të ri

Debati për përshpejtimin e barazimit të moshës së pensionit të grave me atë të burrave po rikthen në vëmendje reformën e skemës së pensioneve në Shqipëri. Në një analizë të publikuar nga ALTAX, eksperti Eduart Gjokutaj argumenton se diskutimi nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja se kur do të dalin shqiptarët në pension, por te mënyra se si do të financohet skema në të ardhmen dhe sa të qëndrueshme do të jenë pensionet për brezat e ardhshëm. Sipas Gjokutajt, reforma e vitit 2014 parashikoi një rritje graduale të moshës së pensionit dhe konvergjencën e moshës së grave dhe burrave në 67 vjeç deri në vitin 2056. Për gratë, mosha e pensionit arrin 63 vjeç në vitin 2032 dhe më pas vijon rritja drejt 67 vjeç, ndërsa për burrat rritja drejt 67 vjeç nis pas vitit 2032.
Por analiza vë në dukje se dokumentet e procesit të integrimit evropian e kanë konsideruar periudhën deri në vitin 2056 shumë të gjatë për barazimin e moshës së pensionit. Sipas Gjokutajt, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Shqipëria një plan më të qartë, një afat të ri dhe vlerësim të ndikimit që një ndryshim i tillë do të kishte mbi financat publike dhe tregun e punës. Në të njëjtën kohë, qeveria ka nisur një paketë financiare për pensionet për periudhën 2026-2030. Sipas të dhënave të cituara në analizë, objektivi është që pensioni urban për personat me vite të plota pune të arrijë në 40 mijë lekë në muaj deri në vitin 2030, ndërsa efekti kumulativ i ndërhyrjes për këtë periudhë vlerësohet rreth 1.7 miliardë euro. Për vitin 2026, efekti financiar i masës së parë është vlerësuar rreth 10.4 miliardë lekë. Gjokutaj e përmbledh situatën përmes një ekuacioni që, sipas tij, tregon presionin mbi skemën: “Pension më i lartë + Jetë më e gjatë + Më pak kontribues potencialë + Emigracion + Nevojë për financim buxhetor = Nevojë për reformë strukturore.”
Në këtë kuadër, analiza argumenton se zgjidhja nuk mund të kufizohet vetëm te transfertat nga buxheti apo te rritja e moshës së pensionit. Gjokutaj thekson nevojën për formalizimin e tregut të punës, zgjerimin e bazës së kontribuesve, rritjen e rolit të skemave private dhe ndryshimin e mekanizmave të indeksimit.“Prandaj, 67 vjeç duhet parë si një parametër i sistemit dhe jo si objektivi final i reformës”, shkruan Gjokutaj. Analiza veçon gjashtë elemente që, sipas autorit, duhet të përcaktojnë debatin për pensionet. Përveç moshës 67 vjeç, në fokus vendosen ndërhyrja buxhetore prej rreth 1.7 miliardë eurosh për periudhën 2026-2030, objektivi i pensionit urban prej 40 mijë lekësh, krijimi i Fondit të Veçantë të Pensioneve me rreth 167 milionë euro, periudha prej 40 vitesh kontribute për pensionin e plotë dhe ndërtimi i një sistemi të ri me tre shtylla.
Sa i përket fondit të veçantë, Gjokutaj sjell në analizë të dhënat sipas të cilave në shkurt 2026 Ministria e Financave njoftoi transferimin e rreth 167 milionë eurove në Fondin e Veçantë të Pensioneve, nga fonde të pashpenzuara të institucioneve publike gjatë vitit 2025. Por sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit. “Por një fond rezervë nuk zëvendëson bazën e qëndrueshme të kontributeve”, shkruan ai. Një tjetër çështje e rëndësishme është niveli i pensionit. Objektivi i shpallur është që pensioni urban me vite të plota pune të arrijë në 40 mijë lekë në muaj deri në vitin 2030, nga 27,350 lekë në nivelin e paraqitur në projektbuxhetin e vitit 2026. Megjithatë, analiza paralajmëron se rritja nominale e pensionit nuk duhet të ngatërrohet me rritjen reale të standardit të jetesës. Sipas Gjokutajt, pyetja që duhet bërë është se “sa fuqi blerëse përfaqëson ky pension në vitin 2030”.
Në analizë theksohet gjithashtu se skema shqiptare mbetet kryesisht e bazuar në parimin “pay-as-you-go”, ku kontributet e brezit aktiv financojnë përfitimet e brezit në pension. Ky mekanizëm është më i lehtë për t’u financuar kur numri i kontribuesve rritet më shpejt se numri i përfituesve. Por plakja e popullsisë dhe emigracioni po ndryshojnë këtë raport. “Kjo është arsyeja pse plakja e popullsisë dhe emigracioni nuk janë thjesht çështje demografike. Ato janë çështje fiskale”, argumenton Gjokutaj. Në lidhje me barazimin e moshës së pensionit, analiza e ndan debatin në dy nivele: barazia gjinore dhe qëndrueshmëria financiare e skemës. Sipas Gjokutajt, një moshë e njëjtë pensioni për burrat dhe gratë nuk do të thotë domosdoshmërisht pension të barabartë. Diferencat në tregun e punës, pagat, periudhat jashtë tregut të punës dhe puna e kujdesit familjar ndikojnë në historikun e kontributeve. “Barazi në moshën e pensionit nuk garanton barazi në pension”, thekson ai. Për këtë arsye, çdo përshpejtim i procesit drejt moshës 67 vjeç, sipas analizës, duhet të shoqërohet me një vlerësim të ndikimit që do të ketë te pensionet e grave. Gjokutaj thekson se nuk mjafton të llogaritet se sa vite më shumë do të punojnë qytetarët, por duhet parë edhe se çfarë pensioni do të krijojnë këto vite shtesë.
Sipas tij, rritja e moshës së pensionit mund të sjellë më shumë vite kontributesh dhe të shkurtojë periudhën mesatare të përfitimit, por nuk zgjidh automatikisht probleme të tjera të skemës, si informaliteti, pagat e padeklaruara, emigracioni, karrierat e ndërprera, kontributet minimale, pjesëmarrja e ulët në skemat private dhe produktiviteti i ulët.
“Nëse një individ punon më gjatë, por vazhdon të deklarohet me pagë të ulët, sistemi merr më shumë vite kontribute, por jo një bazë më të madhe financimi”, shkruan Gjokutaj. Pikërisht për këtë arsye, ai argumenton se reforma e pensioneve duhet të jetë edhe një reformë e pagës së deklaruar. Sipas analizës, zgjerimi i numrit të kontribuesve dhe rritja e bazës reale të pagave do të krijonin një bazë më të qëndrueshme financimi sesa rritja mekanike e normave ose zgjatja e moshës së pensionit. Një prej propozimeve të Gjokutajt është ndërtimi i një sistemi me tre shtylla: pensioni publik, një komponent kapitalizues i detyrueshëm për brezat e rinj dhe pensioni suplementar vullnetar. Sipas tij, shtylla publike duhet të mbetet baza sociale, por të plotësohet nga komponenti kapitalizues dhe kursimet private suplementare. Kjo, sipas analizës, do të shpërndante rrezikun e financimit ndërmjet shtetit, individit dhe tregut financiar. Në paketën e propozimeve për reformën përfshihet edhe një kalendar transparent për moshën e pensionit, veçanërisht nëse vendoset për përshpejtimin e konvergjencës drejt 67 vjeç. Sipas Gjokutajt, ndryshimi duhet të ketë një kalendar shumëvjeçar dhe të parashikueshëm, pasi brezat që janë pranë pensionit nuk mund të trajtohen njësoj me ata që sapo hyjnë në tregun e punës. Një tjetër propozim lidhet me analizën gjinore të reformës. Para ndryshimit të afateve, sipas autorit, duhet të publikohet ndikimi mbi pensionet e grave, historikun e kontributeve dhe diferencën e të ardhurave gjatë gjithë ciklit të punës.
Gjokutaj kërkon gjithashtu një formulë më transparente të pensionit, në mënyrë që qytetarët të dinë sa kanë kontribuar, sa vite sigurimi kanë dhe çfarë pensioni krijon kjo skemë. Në analizë propozohet edhe krijimi i një mekanizmi automatik indeksimi, për ta mbrojtur pensionin nga inflacioni përmes një formule të parashikueshme, duke ruajtur njëkohësisht disiplinën fiskale. Për profesionet me ngarkesë të lartë fizike kërkohet trajtim specifik, ndërsa një tjetër propozim është krijimi i një “Pakti Kombëtar për Pensionet”, me synimin që reforma të mos ndryshojë drejtim në varësi të cikleve politike.
Përpara një vendimi të ri për moshën e pensionit, analiza propozon që Shqipëria të publikojë të paktën pesë skenarë: ruajtjen e kalendarit aktual deri në vitin 2056; përshpejtimin e barazimit të moshës së grave me burrat; rritjen e moshës së pensionit së bashku me rritjen e punësimit formal; rritjen e moshës dhe zhvillimin e shtyllës private; si dhe kombinimin e moshës më të lartë me formalizimin, rritjen e pagave të deklaruara dhe pensionet private. Për secilin prej këtyre skenarëve, Gjokutaj kërkon që të publikohen të dhëna për numrin e pensionistëve, numrin e kontribuesve, të ardhurat nga kontributet, shpenzimet për pensionet, transfertat buxhetore, pensionin mesatar dhe raportin pension/pagë. “Vetëm atëherë debati bëhet ekonomikisht i matshëm”, shkruan ai.






Comments