Rama: Qeveria do të paguajë gjysmën e qirasë për studentët që plotësojnë kushtet

Qeveria do të mbulojë gjysmën e kostos së qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Njoftimi u bë nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se kjo masë do të përfshihet në kuadrin e ligjit për strehimin social dhe të përballueshëm.
Sipas Ramës, nisma synon të lehtësojë barrën financiare të studentëve dhe familjeve të tyre, në kushtet kur rritja e çmimeve e ka bërë më të vështirë përballimin e qirave, veçanërisht në Tiranë.
“Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet”, deklaroi kryeministri.
Rama bëri të ditur se për zbatimin e kësaj nisme do të përcaktohen detyrat konkrete, ndërsa theksoi nevojën për bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë për hartimin dhe zbatimin e ligjit.
Projektligji për strehimin social dhe të përballueshëm synon të trajtojë problematikat që lidhen me aksesin në banesa dhe kostot e larta të strehimit, përfshirë vështirësitë që hasin studentët për të përballuar qiranë gjatë studimeve.






Comments