Rama premton mbështetje për bizneset e dëmtuara nga protesta: Do e kalojmë bashkë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas protestës së dhunshme në Tiranë, ku dhjetëra biznese janë sulmuar e dëmtuar. Nga një kioskë e djegur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rama shprehu solidaritet me familjen që humbi biznesin, ndërsa akuzoi opozitën se po shfrytëzon protestën dhe se aktet e dhunës nuk kanë lidhje me kërkesat e studentëve.Kreu i qeverisë e cilësoi kioskën e djegur si simbol të mundit dhe sakrificës së një familjeje që siguron të ardhurat përmes punës së përditshme. Ai u premtoi bizneseve të dëmtuara se do të kenë mbështetjen e institucioneve pasi situata të qetësohet.
“Dua t’u them të gjithë atyre që sot janë me lot në sy përpara gërmadhave të ngjashme dhe që jetojnë me një sipërmarrje të vogël në Tiranë se nuk janë vetëm, se sapo kjo flakë të kalojë, ne do të jemi aty bashkë”, shkroi Rama. Kryeministri theksoi se kërkesat e studentëve dhe të sipërmarrësve për kushte më të mira jetese janë legjitime, por sipas tij, dhuna, zjarrvëniet dhe shkatërrimi i pronës nuk përfaqësojnë shqetësimet e tyre. “Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flakë nuk është flakë studentore”, u shpreh ai.
Rama u bëri thirrje qytetarëve për durim, duke theksuar se qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës. “Durim, durim se dhe kjo do të kalojë. Durim se pasi kjo të kalojë do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, përfundoi ai.






Comments