Qeveria merr masa, ulen çmimet në supermarkete për tre muaj

Një nismë e re synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve shqiptare përmes uljes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm. Bëhet fjalë për “Kurse”, një nismë vullnetare e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, e realizuar në bashkëpunim me supermarketet dhe furnitorët. Përmes kësaj iniciative, supermarketet dhe furnitorët reduktojnë marzhet e tyre, duke bërë të mundur që ulja e çmimeve të përcillet drejtpërdrejt te konsumatorët.
Nisma parashikon që për çdo produkt të përfshirë të bëhet i ditur çmimi i mëparshëm, çmimi i ri pas uljes, si dhe vlera që konsumatori kursen nga blerja. Në këtë mënyrë, qytetarët mund të krahasojnë çmimet dhe të shohin konkretisht përfitimin nga produktet që blejnë.
Sipas njoftimit, çmimet e reduktuara do të jenë në fuqi nga 12 tetori 2026 deri më 12 janar 2027, një periudhë tre mujore gjatë së cilës synohet të krijohen më shumë mundësi kursimi për familjet.
Nisma është vullnetare dhe mbështetet te bashkëpunimi mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorëve.
"Ne nga sot lançojmë nismën “Kurse”, e cila paraqet një numër produktesh që do të jenë me çmim të fiksuar deri më 12 janar të këtij viti. Janë gjithsej 212 produkte të cilat do të kenë çmimin e fiksuar, pra për të cilat çmimet nuk do të ndryshojnë. Gjithmonë në të gjitha kategoritë e produkteve, në pesë rrjetet e supermarketeve, dhe janë angazhuar pesë supermarkete dhe 22 furnitorë që këto produkte t'i shesin me marzhe fitimi minimale. Do ta shihni vetë në paraqitjen e platformës se si janë çmimet, se si ato ndryshojnë, ku mesatarisht të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%", shpjegoi ministrja Delina Ibrahimaj.






Comments