top of page

Qeveria jep zgjidhjen, çfarë do të ndodhë me apartamentet e blera, por të konfiskuara

Oct 13
2 min read

Shteti mund të marrë përsipër përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit dhe t’ua dorëzojë apartamentet qytetarëve që kanë paguar për to. Ky është një nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji për administrimin e pasurive të konfiskuara. Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja, deklaroi gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale se ndryshimet synojnë të mbrojnë qytetarët që kanë lidhur kontrata për blerjen e pronave, por kanë mbetur pa apartamente për shkak të ndërtimeve të papërfunduara.


Sipas saj, ligji aktual parashikon konfiskimin e objekteve, por jo detyrimin për përfundimin e punimeve. Projektligji i ri synon ta plotësojë këtë boshllëk, duke parashikuar që ndërtesat të përfundojnë dhe pasuritë t’u dorëzohen personave që provojnë të drejtat e tyre kontraktore. Për të përcaktuar përfituesit, do të ngrihet një grup pune që do të verifikojë kontratat e lidhura përpara noterit. Paralelisht, agjencia do të vlerësojë gjendjen fizike të ndërtesave, investimet e kryera dhe punimet që kanë mbetur për t’u përfunduar.


Financimi i punimeve pritet të mbështetet te të ardhurat nga shitja e pasurive të konfiskuara, sipas mekanizmit të parashikuar në projektligj. Aktualisht, sipas Xhajës, janë 16 objekte që i nënshtrohen procedurës së parablerjes. Ajo sqaroi se e drejta e parablerjes do të përfshijë subjektet që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit, por jo ato që kanë ndërtuar tërësisht pa leje.


Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e kategorive përfituese të pasurive të konfiskuara, duke përfshirë strehimin social dhe shoqërinë civile. Për nevojat e strehimit social, Ministria e Ekonomisë do të paraqesë kërkesat përkatëse, ndërsa kalimi i pasurive do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Banesat duhet të jenë të përfunduara dhe të plotësojnë standardet e nevojshme për banim. Një tjetër pikë e projektligjit është përjashtimi i investitorëve nga përfitimi i këtyre pasurive, me synimin për të shmangur që subjektet e përfshira në ndërtimet që konfiskohen të përfitojnë prej tyre. Ndryshimet janë ende në fazën e propozimit ligjor. Zbatimi i mekanizmit do të varet nga miratimi i projektligjit, verifikimi i kontratave dhe vlerësimi i gjendjes së objekteve.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page