Pse sigurojmë makinën dhe jo jetën apo biznesin që ushqen familjen?
- Aug 12
- 1 min read

Teksa vendi është përfshirë nga flakët, apeli që vjen nga shoqata e siguruesve është fokusi tek sigurimi i pronës, për të shmangur kostot që lënë pas zjarret apo fatkeqsitë natyrore. Në një reagim publik shoqata e siguruesve thotë se sot njerzit kërkojnë ndihmë on line nëpërmjet kontributit në platform GoFundMe.
Reagimi i shoqatës së siguruesve:
Një familje punoi 7 vjet për të ngritur biznesin e saj. Një zjarr mjaftoi që puna, investimi dhe ëndrra e viteve të viheshin në rrezik. Sot, për t’u ngritur përsëri, kërkohet ndihma e njerëzve përmes GoFundMe. Pse sigurojmë makinën, por jo biznesin që na ushqen familjen? Pse investojmë mijëra e mijëra euro në ndërtesa, makineri, pajisje e mallra, por kur vjen puna te sigurimi i tyre themi: “Nuk më ndodh mua”? Zjarri nuk pyet. Tërmeti nuk paralajmëron. Përmbytja nuk kontrollon nëse ke kursime për t’u ringritur. Solidariteti i shqiptarëve është i çmuar, por GoFundMe nuk mund të jetë polica jonë e sigurimit! Nuk mund të presim që, pasi të humbasim mundin e një jete, familjarët, miqtë apo njerëz të panjohur të mbledhin para për të na kthyer në këmbë. Prona sigurohet. Biznesi sigurohet. Makineritë dhe pajisjet sigurohen. Malli sigurohet. Sigurimi nuk është një shpenzim i kotë që bëhet “po na tepruan ca para”. Është pjesë e mbrojtjes së investimit tuaj. Të gjithë kemi përgjegjësi, të dalim më shumë në terren, të shpjegojmë më thjesht, të edukojmë më shumë dhe ta ngremë zërin më fort. Sepse edukimi për sigurimet nuk duhet të fillojë pasi prona është djegur. Duhet të fillojë sot. Mos siguroni vetëm atë që ju detyron ligji. Siguroni atë që nuk mund ta përballoni ta humbisni.






Comments