top of page

Personat me aftësi të kufizuara, rregulla të reja për bizneset: Gjoba deri në 5 mln lekë

Sep 2
2 min read

Një kuadër i ri ligjor për personat me aftësi të kufizuara pritet të ndryshojë mënyrën se si bizneset duhet të projektojnë dhe ofrojnë një pjesë të madhe të produkteve dhe shërbimeve të tyre. Projektligji “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” parashikon detyrime të reja për operatorët ekonomikë dhe vendos një sistem sanksionesh që, në rastet më serioze, mund të arrijë deri në 5 milionë lekë.


Për shoqëritë tregtare, gjoba mund të llogaritet edhe në bazë të aktivitetit ekonomik: deri në 0.1% të xhiros totale vjetore të realizuar në vitin financiar paraardhës, duke u marrë si referencë vlera më e lartë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo problem aksesueshmërie do të ndëshkohet menjëherë me gjobë.

Në rastet kur një mangësi mund të korrigjohet dhe nuk krijon një rrezik të rëndë, kontrolli i parë mund të përfundojë me një urdhër për përmirësimin e situatës. Operatorit ekonomik do t’i jepet një afat për të ndërhyrë, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se 9 muaj. Nëse detyrimet nuk përmbushen brenda këtij afati, moszbatimi i masave korrigjuese mund të konsiderohet kundërvajtje administrative dhe të pasohet nga gjoba.

Masa e sanksionit do të përcaktohet duke marrë parasysh rëndësinë e shkeljes, numrin e personave të prekur, kohën gjatë së cilës ka vazhduar problemi, shtrirjen e tij dhe nëse shkelja është përsëritur.


Ndryshimet prekin një numër të madh pajisjesh dhe shërbimesh që përdoren çdo ditë.

Ndër produktet e përfshira janë sistemet kompjuterike për përdorim të përgjithshëm, sistemet operative dhe pajisjet interaktive të teknologjisë së informacionit. Në mënyrë të veçantë, projektligji përfshin ATM-të, terminalet e pagesave, makinat automatike të biletave dhe pajisjet e check-in, si dhe terminale të tjera të vetëshërbimit. Në fushën e komunikimeve dhe medias përfshihen gjithashtu pajisje që përdoren për shërbimet e komunikimeve elektronike dhe për aksesin në përmbajtje audiovizive.


Një nga sektorët që preket drejtpërdrejt është ai bankar. Sipas projektligjit, Banka e Shqipërisë do të ketë rol në mbikëqyrjen e respektimit të kërkesave të aksesueshmërisë për shërbimet bankare që u ofrohen konsumatorëve. Mbikëqyrësi do të ketë mundësi të kërkojë dokumentacion nga institucionet financiare, të shqyrtojë ankesat e klientëve dhe të kërkojë ndërhyrje për korrigjim.


Tregtia elektronike, shërbimet bankare online, platformat e biletimit dhe informacioni digjital për udhëtimet janë ndër fushat ku kërkesat e reja do të kenë ndikim. Edhe shërbimet e transportit të pasagjerëve do të duhet të marrin parasysh aksesueshmërinë në elemente si faqet e internetit, aplikacionet, sistemet e biletave dhe informacioni që u jepet udhëtarëve. Në këtë kuadër përfshihen transporti ajror, rrugor, hekurudhor dhe ujor. Edhe komunikimi me numrin e emergjencës 112 do të duhet të respektojë kërkesat e reja për aksesueshmërinë.



Projektligji parashikon një përjashtim të rëndësishëm për mikrondërmarrjet. Në këtë kategori përfshihen subjektet që kanë më pak se 10 punonjës dhe që kanë një xhiro vjetore ose total bilanci deri në 2 milionë euro.

Mikrondërmarrjet që ofrojnë shërbime përjashtohen nga kërkesat e aksesueshmërisë, ndërsa në rastin e mallrave përjashtohen produktet e prodhuara nga këto subjekte.




Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page